E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mister vdekja e djalit, Travolta i shkatërruar nga tragjedia



“Xhet ishte djali më i mrekullueshëm që dy prindër mund të kenë. Ai i jepte gëzim kujtdo që kishte mundësi ta takonte”. Kështu është shprehur aktori Xhon Travolta i shkatërruar dhe bashkëshortja, aktorja Keli Preston, pas vdekjes së djalit të tyre Xhet, 16 vjeç. Aktori u përpoq ta sillte në jetë dëshpërimisht dhe autoritetet në Bahamas kryen dy autopsi për të qenë të sigurt se shkaku i vdekjes ishte përplasja e kokës teksa ai bënte dush. Djali vuante nga një sëmundje e rrallë, e cila provokonte kriza epilepsie dhe mendohet se pati një krizë teksa ishte në dush vetëm, në apartamentin e familjes, në ishullin Bahamas. Kështu, sipas tabloidit “Daily News”, ka qenë vetë babai i tij, Xhoni, i cili ka tentuar që ta sjellë në jetë të birin pas përplasjes, duke i bërë masazh kardiak për rreth 10 minuta. “Ndihmë! Po humbas tim bir”, - ka bërtitur aktori. Kështu, autoritetet vendase kanë caktuar dy mjekë për të zbardhur plotësisht shkaqet e vdekjes, pasi nuk dihet ende me saktësi se çfarë ndodhi në momentet e fundit të jetës së 16-vjeçarit. “Xhet ishte një fëmijë fantastik, që ndriçonte jetët tona”, - është shprehur aktori me pikëllim, duke falënderuar njëkohësisht edhe gjithë njerëzit që e kanë mbështetur në këtë periudhë të vështirë. Gjatë viteve të fundit familja Travolta ka mohuar gjithmonë se djali i tyre vuante nga sëmundja e rrallë. Shumë veta mendojnë se anëtarësimi i aktorit në sektin “Scientology” nuk i lejonte të pranonte sëmundjen e të birit për të mos lejuar gjithashtu edhe kurimin e tij, një pikë shumë e rëndësishme kjo në doktrinën e sektit.

Anastasia: “Muzika më nervozon”

Është e çuditshme, por e vërtetë. Këngëtarja Anastasia, e cila ka bërë mijëra veta të kërcejnë me hitet e saj si, “I’m Outta Love”, “One Day In Your Life” dhe “Left Outside Alone”, nuk e pëlqen muzikën. “Preferoj më shumë qetësinë, sesa të dëgjoj një CD. Herën e fundit që kam hyrë në një dyqan disqesh kam blerë një minikasetë të Xhenet Xheksonit, por nuk mbaj mend asnjëherë të kem blerë një album”, - shprehet këngëtarja në një intervistë për “The Sun”. Më tej ajo shton se dëgjimi i muzikës nuk e qetëson. “Mendoj se bëhem nervoze kur dëgjoj muzikë. Kam një iPod, por nuk mbaj mend as herën e fundit kur e kam përdorur. Muzika asnjëherë nuk më ka bërë të ndiej emocione të veçanta. Për të qenë e sinqertë, më duhet të them se me irriton shumë”, - shton Anastasia, e cila tetorin e shkuar publikoi albumin me titull “Heavy Rotation”.

6 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›