Igli Tuga, nis karriera amerikane me klarinetë
Shqiptarët e Amerikës janë nga më të suksesshmit: shkencëtarë, afaristë, politikanë, artistë, studentë, sportistë, shkrimtarë e poetë, njerëz të fushave të ndryshme, që kanë arritje të ndryshme duke tërhequr vëmendjen e vetë amerikanëve. Një e përditshme shqiptare ka provuar të zgjedhë “50 shqiptarët më të suksesshëm në botë”. Më shumë se dy të tretat e tyre jetojnë, punojnë e ushtrojnë aktivitetin e tyre në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Xhejms Belushi, aktor; Stan Dragoti, regjisor; Sandra Bulok, aktore; Eliza Dushku, aktore; Agim Kaba, aktor; Emina Çunmulaj, modele; Tie (Tahir) Domi, lojtar hokeji (Kanada); Xhejms Biberi, aktor; Mirela Tafaj, soprano; Elona Bojaxhi, aktore dhe modele; Laureta Meçi, aktore; Marina Malota, aktore; Nate Dushku, aktor; Hila Popaj, ish-aktor; Astrit Zejnati, balerin; Stefi Gjine, teniste; Valbona Çoba, modele; Masiela Lusha, aktore; Laura Mersini, aktore; Merita Halili, këngëtare; Edgar Miraku, trajner; Altin Vola, muzikant; Toni Dovolani, kërcimtar... Këto janë disa prej emrave sigurisht të afirmuar në fushën e artit, ndërsa krahas tyre renditen artistë të rinj si Kreshnik Zhabjaku dhe Igli Tuga. Sot po ndalemi tek Igli Tuga, artisti që po “pushton” Amerikën. Ai ka qenë pianist në Teatrin e Operës dhe Baletit në Tiranë por prej vitesh është larguar në SHBA, ku nuk e la pas dore artin, madje është paraqitur me dinjitet. Nermin (Daja) Zhabjaku, me të birin e saj, Kreshnikun, është mirëpritur nga publiku artdashës në Nju Jork, nën shoqërimin në klarinetë të mjeshtrit Igli Tuga. Klarinetisti shqiptar Tuga ka vetëm tre muaj që ka mbërritur në “tokën e ëndrrave”, por arrin të spikasë si talent i mrekullueshëm i muzikës klasike. Të paktën kështu cilësohet prej specialistëve, kritikës dhe mjeshtrave të ndryshëm të muzikës. Gazeta “The New York Times” është e para që i ka kushtuar një vend të posaçëm në faqet e saj, duke e cilësuar artistin shqiptar si fenomen. Muzikant i njohur në Shqipëri, Tuga është përmendur edhe në Enciklopedinë e Artit Shqiptar.
Njohja me violinën e Papavramit dhe dashuria për klarinetën
Gjatë gjithë jetës së tij, Igli Tuga ka pasur pasionin për muzikën. Ai e ka filluar këtë rrugë qysh nga mosha pesë vjeç me përkrahjen e plotë të familjes. Instrumenti i tij i parë ka qenë violina, të cilën e studioi për rreth 5 vjet, në moshën 5-10 vjeç. Pedagogu i tij ka qenë i mirënjohuri Robert Papavrami, babai i violinistit të njohur Tedi Papavrami. Por shpejt ai u nda nga violina për t’iu përkushtuar studimeve në klarinetë, pranë liceut artistik “Jordan Misja” në Tiranë. Klarineta është pasioni i vërtetë i Iglit. Pedagogu i tij i parë ka qenë Sokol Asllani, me të cilin ka studiuar në mënyrë rigoroze për 10 vjet. Pas shkollës së mesme, në vitin 1993 ai fitoi vendin e parë në konkursin e pranimit për në Akademinë e Arteve. “Aktivitetet në Akademi ishin të shumta dhe nxitëse për rritjen time artistike. Akademia më bëri që ta kuptoj vështirësinë e rrugës që kisha zgjedhur”, - thotë Tuga, duke kujtuar bashkëpunimet dhe projektet e kësaj periudhe me muzikantë shumë të njohur të Shqipërisë, ku përmend kompozitorët: Çesk Zadeja (Artist i Popullit), Aleksandër Peçi, Sokol Shupo, Shpëtim Kushta dhe Thoma Gaqi. Gjithashtu, ai ka bashkëpunuar me disa nga dirigjentët më të mirë shqiptarë, si Ferdinand Deda (Artist i merituar), Ermir Krantja, Eno Koço, etj.
Rruga me klarinetën
Gjatë vitit të parë të Akademisë (1994) ka fituar çmimin e dytë si interpretues në festivalin prestigjioz për muzikën kontemporane “Nikolla Zoraqi”. Ai e ka fituar këtë çmim në këtë festival ndërkombëtar të instrumentistëve edhe dy herë të tjera, në vitet 1996 dhe 1998. Në vitin 1993, Igli mori pjesë në një koncert së bashku me kolegun dhe mikun e tij, baritonin Kreshnik Zhabjaku, një koncert diplome në TKOB. Ky koncert u përsërit edhe pas katër vjetësh, më 1997-n, kur Tuga dhe Zhabjaku u paraqitën para publikut si dy ndër studentët më të mirë. “Ky koncert u dha në Qendrën Ndërkombëtare të Kulturës në Tiranë, shoqëruar nga Orkestra Simfonike e Radio-Televizionit Shqiptar, nën drejtimin e Alqi Lepurit (Artist i merituar)”, - tregon Tuga. Pas mbarimit të shkollës, Igli u caktua si pedagog në liceun artistik “Jordan Misja” në Tiranë. Shumë shpejt u caktua si klarinetist i parë i Orkestrës Simfonike të Radio-Televizionit Shqiptar. Gjithashtu, ai fitoi të drejtën të jetë anëtar i ansamblit “Asmus”, një grup i njohur në Shqipëri dhe në botë, i fokusuar në repertorin kontemporan të muzikës së dhomës. Ky ansambël ka në repertorin e tij 130 pjesë nga kompozitorë shqiptarë të shekullit XX si dhe nga kompozitorë të tjerë të njohur si: Xenakis, Dutilleux, Lutoslavski, Ginastera, Henze, etj. Ansambli “Asmus” ka dhënë koncerte në Zvicër, Austri, Itali, Maqedoni, Francë, Angli, Greqi dhe Kroaci. “Kam pothuajse tre muaj në Shtetet e Bashkuara dhe kam shumë dëshirë të jap koncerte këtu në Amerikë për komunitetin shqiptar, si dhe për audiencën amerikane, gjë që do të bëjë të mundur promovimin e muzikës kontemporane shqiptare dhe njohjen e kompozitorëve të talentuar shqiptarë”, - thotë ai.
Beqir SINA
6 Janar 2009