Sejdiu dhe Thaçi: Gjendja e qetë, me përjashtim të Veriut
Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi gjatë një takimi ranë dakord se gjendja e sigurisë në Kosovë, me përjashtim të Veriut të Kosovës, është e qetë dhe e qëndrueshme. Dy krerët më të lartë të shtetit kosovar arritën në konkluzionin se, “me përjashtim të Veriut të Kosovës, ku ende ka trazira të herëpashershme, gjendja e sigurisë është e qetë dhe e qëndrueshme”, - thuhet në një komunikatë shtypi të Zyrës së Presidentit, të shpërndarë pas takimit. Në këtë takim morën pjesë edhe zëvendëskryeministrat Hajredin Kuçi dhe Ramë Manaj. Në takim u theksua sërish “vendosmëria e institucioneve dhe qytetarëve të vendit për ndërtimin e një shoqërie demokratike, ku do të mbretërojë rendi dhe ligji si dhe për intensifikimin dhe bashkërendimin e mëtejshëm të punës së institucioneve të Republikës së Kosovës në të gjitha fushat e veprimtarisë së tyre si dhe për gjendjen e sigurisë në vend”. Ndërkohë, kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bajram Rexhepi, theksoi dje se incidentet po shkaktohen nga grupe të caktuara dhe të organizuara serbe në Veri me qëllim që të tensionojnë situatën. Në mbledhjen e Komitetit të Sigurisë, ku morën pjesë përfaqësues të strukturave politike dhe të sigurisë, Rexhepi i bëri thirrje popullsisë në atë pjesë të qytetit ku ka provokime të vetëpërmbahen dhe të bashkëpunojnë me KFOR-in dhe EULEX-in.
Ambasada kosovare në Podgoricë, Mali i Zi vë dy kushte
Pas deklaratës së Presidentit të Kosovës Fatmir Sejdiu se në fillim të këtij viti do të hapet ambasada në Mal të Zi, ka reaguar menjëherë Presidenti malazez, Filip Vujanoviç. Sipas tij, pranimi i ambasadorit të Kosovës do të vinte vetëm nëse shteti i ri do të njohë pakicën malazeze në Kosovë, si dhe krijimin e kushteve për kthimin e refugjatëve joshqiptarë nga Mali i Zi në Kosovë. Deklarata e Presidentit të Malit të Zi u bë pas paralajmërimeve të homologut të tij kosovar, Fatmir Sejdiu, se në fillim të këtij viti do të hapet ambasada e Kosovës në Podgoricë. Ai vlerësoi se vendosja e marrëdhënieve të dyanshme është në interes të të dy vendeve, ndërsa shtoi se për këtë çështje është biseduar me Presidentin Vujanoviç dhe me ministrin e Jashtëm Roçen. “Nuk mund të them saktësisht se në cilën ditë do të bëhet kjo, pasi po zhvillohen edhe disa procedura të brendshme”, - tha Sejdiu.
6 Janar 2009