E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sulm ndaj patrullës së policisë në Athinë, plagoset një polic



Në orët e para të mëngjesit të djeshëm, në lagjen “Eskarcia” të Athinës, një patrullë e forcave speciale greke është qëlluar me breshëri automatiku. Rreth një muaj më parë, në këtë lagje një polic grek qëlloi për vdekje një adoleshent 15-vjeçar grek, gjë që nxiti dhe protestat e dhunshme në ditët e mëpastajme. Sulmi i djeshëm ndodhi rreth orës 04:00, me orën lokale, kur tre agjentë të policisë, të cilët po ruanin godinën e Ministrisë së Kulturës, u qëlluan nga dyu persona të armatosur ende të panjohur. Mësohet se dy personat iu afruan në këmbë rreth 40 metra patrullës së policisë dhe më pas qëlluan në drejtim të tyre me breshëri automatiku.
Policia njoftoi se në vendngjarje u gjetën 27 gëzhoja plumbash prej automatiku “Kallashnikov” si dhe 4 gëzhoja plumbash pistolete me diametër 9 ml. Njëri nga policët mori plagë të rënda në kraharor dhe në njërën këmbë. Më pas iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale, pasi mund të rrezikonte jetën. Operacioni përfundoi në mëngjes, rreth orës 08.30, ndërsa mjekët thanë se gjendja e tij shëndetësore është konstante. Polici nuk ishte i pajisur me jelek antiplumb, por mësohet se dy telefonat celularë që mbante me vete i kanë shpëtuar jetën.

SHBA
Rrëzohet një helikopter, vdesin 8 persona
Një helikopter, që operonte mbi një platformë nafte, është rrëzuar në det të hapur të shtetit Luiziana, ku humbën jetën tetë veta dhe u plagos rëndë një tjetër. Helikopteri u rrëzua pak pas fluturimit nga baza Amelia, 100 milje nga Nju Orlinsi. Shkaku i rrëzimit ende nuk është i qartë. Në helikopter gjendeshin dy pilotë dhe shtatë udhëtarë. Identiteti i viktimave ende nuk është dhënë. Ndër viktimat një udhëtar ka mbijetuar, por është në gjendje të rëndë shëndetësore.

ZIMBABVE
Arrin në 1600 numri i të vdekurve nga kolera
Organizata Botërore e Shëndetësisë bëri të ditur se numri i të infektuarve nga kolera në Zimbabve ka arritur në rreth 30.000, ndërkohë që shumë njerëz të tjerë nuk kanë as ujë të pijshëm dhe as medikamente. Mendohet se numri i rasteve të të prekurve do të shkojë në 60.000. Gazetarët vendas nuk mundën të njihen nga afër me gjendjen pasi shërbimi sekret i Presidentit Mugabe përpiqet t´i mbrojë epiqendrat e epidemisë nga vëzhguesit.

RUSI
Ndërpritet dërgimi i gazit nga Ukraina
Kryeministri i Rusisë, Vladimir Putin, ka urdhëruar kompaninë shtetërore “Gazprom” që prej dje të ndërpriten dërgesat e gazit që shkojnë nga Ukraina drejt vendeve të Europës. Drejtori i “Gazpromit”, Aleksei Miler, ka thënë se si zëvendësim do të shtohet sasia e gazit që Europës do t'i dërgohet përmes Bjellorusisë dhe Detit të Zi. Bashkimi Europian ka bërë të ditur se nuk do të ndërmjetësojë në kontestin ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës për çështjen e gazit.

6 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›