E Diel, 1 Nëntor 2026

“Filomena Marturano” çel sezonin artistik në Teatrin Kombëtar



Petrika GROSI
Teatri Kombëtar pritet që sot të bëjë shpalljen zyrtare të nisjes së sezonit të ri artistik në një konferencë për shtyp, ku do të jenë të ftuar protagonistët e premierës së parë që do të ngjitet në skenën e këtij institucioni. Ndërsa detajet e tjera nuk bëhen të ditura para konferencës, mësojmë se shfaqja e parë për vitin 2009 në Teatrin Kombëtar do të jetë “Filomena Marturano” e autorit Eduardo de Filipo. Sa i përket veprës “Filomena Marturano”, kemi të bëjmë me një komedi teatrore në tre akte të shkruar nga autori italian në vitin 1946. Në dramaturgjinë ndërkombëtare, kjo pjesë është një ndër më të njohurat dhe më të vlerësuarat si nga publiku, ashtu edhe nga kritika. Gjithçka fillon me skenën e parë në të cilën shfaqet Filomena, një ish-prostitutë, si dhe Domeniko, i tërbuar nga inati... Ai sapo është detyruar të martohet me gruan me të cilën bashkëjetonte prej vitesh, pasi ajo e gënjeu dhe u shtir sikur ishte në grahmat e fundit të jetës së saj. Filomena i rrëfen Domenikos arsyen e gjestit të saj - për t’u dhënë një mbiemër tre fëmijëve të saj - ekzistencën e të cilëve gjatë gjithë kësaj kohe e mbante të fshehtë. Në anën tjetër, Domeniko i beson avokatit Nocella shprishjen e martesës së tij, sepse ai do që të martohet me infermieren, e cila asistoi Filomenën gjatë sëmundjes. Filomena i thotë Domenikos se njëri nga djemtë është i tij, por nuk i thotë se cili prej tyre në mënyrë që të mos i dëmtojë dy të tjerët. Kështu nis transformimi i ngadaltë i Domenikos, i cili kërkon të kuptojë se cili nga tre djemtë është gjaku i tij. Në fund, Domeniko i jep të drejtë Filomenës dhe i mposhtur nga ndjenjat e fëmijëve, që e konsiderojnë që të tre si babain e tyre, ai vendos të bëjë sërish celebrim me Filomenën. Ky është pak a shumë subjekti i “Filomenës”. I njëjti autor ka shkruar mjaft pjesë të tjera për teatër. Ndër to mund të përmendim: “Farmacia di turno” (1920); “Oçhiali neri” (1945); “Uomo e galantuomo” (1922); “Questi fantasmi” (1946); “Requie a l'anema soja” (1926); “Ditegli sempre di si” (1927); “Le bugie con le gambe lunghe” (1947); “Il sindaco del rione sanità” (1960); “L'abito nuovo” (1936); “Tommaso D'Amalfi” (1963); “Il cilindro” (1965); “Non ti pago” (1940); “Il contratto” (1967); “Io, l'erede” (1942); “Il monumento” (1970), “Gli esami non finiscono mai” (1973), etj.
Ndërkaq, siç thamë dhe në fillim të këtij shkrimi, sot pritet të bëhet e ditur pjesa e stafit shqiptar, e cila do të realizojë premierën e parë të Teatrit Kombëtar për këtë vit duke nisur që nga regjisori tek aktorët, kostumet, skenografia dhe muzika.

6 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›