72 orë aksion për 325 gramë kokainë

Artan Lluri, i mirëpajisur me dy nënshtetësi dhe me dy leje qëndrimi, u kap me qindra mijëra euro mall. Bashkë me të arrestohet dhe Edmond Stefani. Droga dyshohet se kishte destinacion lokalet e natës në Tiranë
TIRANË - Emigranti me dy nënshtetësi e dy leje qëndrimi, por edhe me precedentë penalë për trafik narkotikësh, 40-vjeçari Artan Lluri, arrestohet 72 orë pas kthimit të tij nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me 325 gramë kokainë të pastër. Burime të besueshme policore bënë të ditur për “Korrierin”, se puna dhe finalizimi i operacionit të koduar “Emigranti”, gjatë të cilit u arrestua edhe 31-vjeçari Edmond Stefani, është mundësuar vetëm për tri ditë. “Një informacion tepër i saktë që morëm në rrugë operative, na bëri që t’i futeshim punës dhe të kapnim me sasinë e kokainës Llurin”, - shprehen burimet. Po sipas burimeve, mësohet se i arrestuari kishte ardhur në Shqipëri me sasinë e mallit, dhe nëpërmjet “mikut” të tij, Stefanit, kishte gjetur tregun e shitjes së kokainës. Burimet thanë se, “si treg shitjeje për sasinë e sekuestruar do të shërbenin lokalet dhe pub-et e zonës së Tiranës së Re dhe të ish-Bllokut. Duket se punët kanë qenë të ndara mes dy të njohurve, e në kohën kur Lluri siguronte gjetjen e mallit, Stefani siguronte vendet e shitjes. Ndërsa për të parin, Artan Llurin, akuza që rëndon është ajo e “trafikimit të lëndëve narkotike”, duket se Edmond Stefani do të gjykohet për “shpërndarje të lëndëve narkotike”. Gjatë kontrollit, në shtëpinë e marrë me qira nga emigranti Lluri, agjentët gjetën të shpërndarë nëpër vende të ndryshme të banesës shuma të mëdha parash, të cilat në total kapën shifrën e 155 mijë eurove, 10 800 dollarëve dhe 92 mijë lekëve të reja. Në cilësinë e provave materiale atij iu gjetën një pasaportë bullgare me emrin e vërtetë të tij, pasaporta shqiptare, një leje qëndrimi kanadeze dhe një amerikane, këta të fundit me identitet të rremë. Agjentëve të Antidrogës në policinë e kryeqytetit u janë dashur vetëm 72 orë që t’u vënë prangat dy trafikantëve të narkotikëve dhe të sekuestrojnë 325 gramë kokainë të pastër, 155 mijë euro e 10 800 dollarë. Seksioni i Luftës Kundër Drogës rreth orës 19:30 të ditës së djeshme realizoi dhe goditjen e operacionit “Emigranti”. 40-vjeçari Artan Lluri u prangos përpara fakultetit të Juridikut, në Tiranën e Re, teksa drejtonte automjetin e tij tip “Benz” me targa të huaja. Gjatë kontrollit të makinës atij iu gjet e paketuar sasia prej 325 gramësh kokainë, e ndarë në qindra doza, e gatshme për shitje. Ndërkohë që arrestimi i Edmond Stefanit u realizua prapa fakultetit Juridik, teksa po zbriste shkallët e pallatit në të cilin Lluri kishte marrë një apartament me qira.