E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi vendos

Avokat Spartak Ngjela tha dje se drejta e plotë kushtetuese i përket kryetarit të shtetit për të zgjedhur emrat e kandidatëve për anëtarë të Gjykatës së lartë. Ngjela saktësoi se Emrat i zgjedh Topi, që sipas tij është presidenti i parë që kërkon tia shkëpusë politikës Gjykatën e Lartë

Avokat Ngjela mendon se përzgjedhja e kandidatëve të Gjykatës së Lartë nga kreu i shtetit, Bamir Topi, është e domosdoshme. Në një prononcim për “Korrierin”, juristi i mirënjohur Spartak Ngjela, thekson faktin se, pavarësisht konsultimeve, është presidenti, ai që duhet të përzgjedhë emrat. “Emrat janë domein i presidentit. Presidenti është absolut. Mos dëgjoni zërat e injorantëve që nuk njohin shtetin. Pushteti gjyqësor do të garanci për pavarësi. Pavarësinë e pushtetit gjyqësor e këqyr Presidenti i Republikës. Përderisa populli i ka varur këmborën për të garantuar pavarësinë e Pushtetit Gjyqësor, ai duhet të lihet të punojë”, - deklaroi ish-kryetari i Komisionit të Ligjeve. Ky i fundit e ka cilësuar si të papranueshëm qëndrimin e shprehur nga mazhoranca në votimin e së hënës, për dekretet e rrëzuara të Presidentit të Republikës. Spartak Ngjela mendon se për herë të partë institucioni i Presidencës po kërkon të shkëpusë vërtet Gjykatën e Lartë nga varësia politike. “Politika deri tani e ka dominuar Gjykatën e Lartë. Ky është presidenti i parë që kërkon t’ia shkëpusë politikës Gjykatën e Lartë. Unë them se duhet t’ia shkëpusë”, - tha ai. Deputeti Ngjela, “i ngrirë” nga kryetari i PD-së, Sali Berisha, pas publikimit në media të një debati mes të dyve, e mendon si mëse të domosdoshme këtë shkëputje të pushtetit gjyqësor nga politika. Referuar edhe tragjedisë së Gërdecit, që sipas tij është pasojë e korrupsionit, garancia e pavarësisë së gjyqësorit është absolutisht e nevojshme. “Ajo më kryesorja është: në këto momente të nxehta, pasi kanë ndodhur gjithë këto krime me një korrupsion që ka përfunduar me vrasje njerëzish, Presidenti i Republikës duhet të mbështetet fort tek garancia e pushtetit gjyqësor, në mënyrë që të respektojë frymën e lirë të popullit dhe t’iu japë njerëzve shpresë për të ardhmen”, - tha Spartak Ngjela. Edhe opozita e ka cilësuar përplasjen e fundit mes kreut të shtetit dhe atij të ekzekutivit si një tentativë të këtij të fundit për të nënshtruar si presidentin, ashtu edhe Gjykatën e Lartë. Për të njëjtën arsye edhe opozita është rreshtuar krah presidentit Bamir Topi dhe ka votuar “pro” dekreteve të tij. saqellari@korrieri.com

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›