7.5 milionë euro kredi për spitalin Shefqet Ndroqi
UniCredit Bank Austria do të financojë rreth 7.5 milionë euro për përmirësimin e pajisjeve mjekësore në spitalin Universitar "Shefqet Ndroqi" në Tiranë, një spital i ndërtuar në vitin 1948, në periferi të Tiranës, i cili shërben për kurimin e sëmundjeve të mushkërive. Ministri i Financave, Ridvan Bode dhe përfaqësuesja e UniCredit Bank Austria, Florenca Ëendisheim, nënshkruan dje në Tiranë marrëveshjen, e cila do t'i mundësojë këtij spitali pajisjen me aparatura bashëkohore dhe përmirësim të shërbimit ndaj pacientëve.
Sipas kreut të Financave Publike, Ridvan Bode, kredia e akorduar nga UniCredit Bank Austria merret në zbatim të marrëveshjes në kuadër të kredisë prej 25 milionë eurosh me qeverinë austriake. "Objektivi kryesor i këtij projekti është rritja e nivelit dhe gamës së pajisjeve mjekësore të spitalit "Shefqet Ndroqi", i cili është kthyer në një spital universitar i specializuar për sëmundjet e mushkërive, zemrës dhe atyre të brendshme", deklaroi Bode. Sipas tij, kredia e marrë ka një afat maturimi deri në 14 vjet, përfshirë një periudhë prej 5.5 vjetësh pa pagesë principali dhe interes zero. Projekti për pajisjet mjekësore të spitalit "Shefqet Ndroqi", tenderi i të cilit është zhvilluar në Austri, është parashikuar të realizohet brenda një periudhe prej 18 muajsh. Gjatë tre viteve të fundit, me një financim prej 300 milionë lekësh nga buxheti i shtetit, ky spital i është nënshtruar një rikonstruksioni të thellë, i cili përfundon në muajin qershor. Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, e pranishme gjatë ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes, u angazhua për fillimin sa më të shpejtë të projekteve për përmirësimin e pajisjeve në këtë spital.