E Diel, 1 Nëntor 2026

Çekët pro ligjit të spiunëve pas vendimit të Kushtetueses

Mazhoranca e bindur në hapjen e Dosjeve
Qeveria shqiptare shprehet e bindur në vendimin e saj për hapjen e dosjeve, edhe pse një veprim i tillë është kundërshtuar ashpër jo vetëm nga opozita, por edhe nga ndërkombëtarët, sipas së cilëve duhet pritur vendimi i Komisionit të Venecias, pasi ky ligj në vetvete ka pasur probleme serioze kushtetuese. Ministri Alibeaj ka deklaruar se është në dinjitetin e shoqërisë, e cila pretendon të bëhet pjesë e demokracisë evropiane që të mos hyjnë në BE me hipokrizi duke mohuar çfarë ka ndodhur për 50 vjet. Këtë deklaratë, ministri i Drejtësisë e ka dhënë gjatë një takimi të zhvilluar me ministrin çek, Cyril Svoboda i cili duke e vlerësuar këtë ligj të domosdoshëm për Shqipërinë, ka vlerësuar si të rëndësishme kalimin e provës së tij në Gjykatën Kushtetuese. Në këtë drejtim ministri çek është shprehur i bindur se ky ligj nuk do të ndikojë negativisht në procesin e integrimit të vendit. Gjatë takimit të zhvilluar me ministrin e Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, zyrtari i lartë çek, ka inkurajuar ministrin shqiptar për të mos u tërhequr nga zërat kritikë që mund të ketë. Pasi përgëzoi vendin tonë për ecurinë e deritanishme dhe hyrjen në NATO si dhe deklaroi mbështetjen e plotë të vendit të tij për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, inkurajoi në mënyrë të veçantë ministrin Alibeaj për zbatimin e Ligjit të Lustracionit. Në këtë drejtim, ai është shprehur se vendi i tij i ka mirëpritur ndryshimet në ligjin për pastrimin e figurave politike dhe se zbatimi i këtij ligji nuk do të ndikojë negativisht në procesin e integrimit të vendit. Unë besoj se vendi juaj do të ecë përpara me reformat dhe është shumë e rëndësishme që Ligji i Lustracionit të kalojë provën e tij në Gjykatën Kushtetuese. Sipas eksperiencës sonë, ky ligj nuk ndëshkon, por parandalon administratën të bjerë pre e shantazheve, është shprehur ministri Svoboda. Gjithashtu ai ka vlerësuar të rëndësishëm lirinë e çdo personi në funksionimin e demokracisë. Që askush të mos i drejtojë askujt gishtin për ato që ka bërë në të shkuarën. Në fund të fundit ky ligj është i domosdoshëm për Shqipërinë, ashtu siç ishte edhe për vendin tonë, ku edhe pas rishikimit nga Komisioni i Venecias, më në fund të gjithë ranë dakord për rëndësinë e tij, u shpreh ministri çek. Ndërsa nga ana e tij, ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, u shpreh entuziast për zbatimin e këtij ligji, duke veçuar se me këtë ligj, qeveria shqiptare është munduar të jetë e matur, e frenuar dhe jo hakmarrës.Kësaj iniciative sa politike, po aq edhe ligjore do ti shkohet deri në fund së pari për arsye dinjiteti. Është në dinjitetin e shoqërisë sonë, e cila pretendon të bëhet pjesë e demokracisë evropiane që të mos hyjnë në BE me hipokrizi duke mohuar çfarë ka ndodhur për 50 vjet. Jemi munduar që me këtë ligj të jemi të matur, të frenuar dhe jo hakmarrës, të arrijmë një ndërthurje mes statusit aktual të garancive kushtetuese me atë të kufizim të të drejtave që ajo memorie historike duhet të sjellë , nënvizoi Alibeaj, gjatë fjalës së tij. Ligji i hapjes së dosjeve, i miratuar në fund të dhjetorit të vitit të shkuar vetëm nga votat e deputetëve të partive në pushtet, është kundërshtuar ashpër nga të gjitha institucionet perëndimore dhe opozita shqiptare. Sipas raportit të dy raporterëve të KE, lidhur me Ligjin e Lustracionit, ata mbështesin faktin që të pritet mendimi i Komisionit të Venecias.
Gjykata Kushtetuese seancë për ligjin e Dosjeve
Gjykata Kushtetuese, ashtu sikurse edhe ishte paralajmëruar, ka shtyrë për ditën e sotme, 7 maj seancën ku do të shqyrtohet kërkesa e 28 deputetëve për ligjin e Dosjeve. Vendimi i shtyrjes së seancës së fundit për ditën e sotme është marrë pas kërkesës së Partisë Socialiste, e cila njoftoi mungesën e përfaqësuesve ligjorë të saj. Për Ligjin e Lustracionit, Shoqata e Prokurorëve dhe Komiteti i Helsinkit kërkojnë anulimin e tij, pasi janë vërejtur shkelje të rënda të parimeve të Kushtetutës. Kërkesa e 28 deputetëve të Kuvendit konsiston në shpalljen si të papajtueshëm me Kushtetutën, ligjin për pastërtinë e figurës se funksionarëve të lartë të administratës publike dhe të të zgjedhurve. Në këtë kërkesë, deputetët e Kuvendit kërkojnë pezullimin e zbatimit të këtij ligji. Aktualisht ligji, edhe pse i miratuar, nuk mund të zbatohet për shkak të një vendimi të mëparshëm të kësaj gjykate për ta pezulluar atë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›