E Diel, 1 Nëntor 2026

78-vjeçari vret gruan se nuk zbatonte urdhrat. Qani Sherri pranon krimin dhe kërkon mëshirë

Autori i Lajmit: red.
Udhëtimet e 69-vjeçares Zenepe Sherri drejt vendit të saj të lindjes ishin kthyer në mollë sherri për familjen nga Pogradeci, të vendosur prej disa vitesh në periferi të Tiranës. Zënkat kanë degjeneruar dje në vrasje. Qani Sherri, 78 vjeç, ka vrarë bashkëshorten pas këmbënguljes së saj për t u largaur për disa ditë nga shtëpia. Ngjarja e rëndë ka ndodhur mesnatën e së mërkurës, kur 78-vjeçari e ka mbytur me thonj në fyt 69-vjeçaren, e cila këmbëngulte në vendimin e saj për të ikur në Pogradec. Ka qenë nusja e djalit të çiftit të të moshuarve që ka njoftuar sallën operative dhe një grup hetimi është nisur për në vendin e ngjarjes. Djali i çiftit ka mohur se në familjen e tij ka ndodhur vrasje, duke pohuar se nëna e tij vuante prej kohësh nga zemra dhe mund të ketë pësuar atak nga sherri me babanë. Por, pak orë pas arrestimit, autori ka pranuar krimin dhe ka kërkuar mëshirë, pasi, sipas tij, nuk kishte për qëllim të vriste njëriun që kishte kaluar më shumë se gjysmën e jetës me të.
Ngjarja
Krimi në familje regjistron një tjetër vrasje dje në Sharrë, në periferi të kryeqytetit. Ka qenë ora 03:30 minuta e mëngjesit, kur 78-vjeçari Gani Sherri ka vrarë bashkëshorten, pas një grindjeje që kishte nisur një ditë më parë. Sherri mes dy bashkëshortëve nga Pogradeci, por banues në Tiranë, ka nisur gjatë orëve të mbasdites pasi 69-vjeçarja Zenepe Sherri ka kërkuar me këmbëngulje që të largohej nga Tirana, për në fshatin Losnik të Pogradecit. Pas disa orësh debat gjerat duket se janë qetësuar, por rreth mesnatës ka filluar sërish grindja mes bashkëshortëve. Zenepja ka filluar të bëjë gati valixhen, meqenëse kishte marrë vendim për t u nisur për në Pogradec, ndërsa bashkëshorti i “ofenduar” për thyerjen e urdhrit të tij për moslargimin e saj, nuk ka mundur të mbajë nën kontroll situatën. 78-vjeçari Qani Sherri ka shtrënguar për fyti viktimën Zenepe Sherri, deri në arritjen e asfiksisë mekanike dhe si rezultat i këtij veprimi e moshuara ka gjetur vdekjen e menjëhershme.
Hetimet
Një grup hetimi ka shkuar menjëherë pas telefonatës së nuses së djalit të çiftit në vendin e ngjarjes. Autori i krimit ka preferuar të presë policinë në shtëpi dhe menjëherë pas arrestimit ka pranuar dhe krimin. Burime nga policia bënë të ditur se nga tërësia e provave materiale të mbledhura në vendin e ngjarjes u bë arrestimi i Qani Sherrit, nën akuzën e konsumimit të veprës penale “Vrasje me dashje”.

Dëshmia e djalit: Nëna vuante prej vitesh nga zemra

Prindërit kanë bërë fjalë mbrëmë në darkë, pasi babai nuk ishtë dakord që nëna të shkonte disa ditë në Pogradec. Më parë nuk kanë pasur probleme me njëri-tjetrin edhe pse nëna shkonte shpesh në fshatin e saj. Nëna ka vuajtur nga sëmundje në zemër dhe ka qenë me ilaçe. Mbrëmë ajo është trembur nga debati që ka pasur më babanë dhe mund të ketë pësuar ndonjë atak në zemër.

78-vjeçari: “E vrava gruan, por jam penduar”
Qani Sherri pranon para grupit të hetimit se ka vrarë bashkëshorten e tij. Në dëshminë e dhënë në polici, 78-vjeçari ka pohuar se nuk kishte për qëllim ta vriste, por ta detyronte të mos largohej për disa ditë në Pogradec. I arrestuari ka pohuar se kundërshtimi i saj e nervozoi dhe nuk mundi ta kontrollojë më situatën.

Ky lajm është publikuar: 26/02/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›