E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trafikoi 22-vjeçaren, pranga autorit

Autori i Lajmit: red.
Shfrytëzoi për prostitucion një 22-vjeçare për disa muaj, përfundon në pranga. Një 28-vjeçar nga Kukësi është arrestuar dje nën akuzën e shfrytëzimit të prostitucionit, pasi në afërsi të doganës në Tiranë ka mbajtur në një motel një vajzë, të cilën e ka detyruar të ushtrojë prostitucion. Ka qenë një operacion i Seksionit të Luftës kundër Trafiqeve të Paligjshme, i cili ka realizuar dhe ndalimin e Asllan Gjanës, 28-vjeç, lindur në Kukës dhe banuese në Tiranë. Burime zyrtare nga Policia e Tiranës bënë të ditur dje se ndalimi i 28-vjeçarit u krye pasi akuzohet se shfrytëzonte për qëllim prostitucioni shtetasen V.R. 22 vjeçe, me banim në Tiranë.
Mësohet se nga hetimet rezultoi që 22-vjeçarja është shfrytëzuar nga Asllan Gjana për qëllime prostitucioni tek motel “Trandafili”, në afërsi të Doganës, për një periudhë disamujore, duke i siguruar klientët, kundrejt shumave të ndryshme. Policia ka marrë të dhëna në lidhje me aktivitetin e dy të rinjve në rrugë operative dhe më pas ka mbajtur për disa kohë nën vëzhgim hotelin. Pas ndalimit të të dyshuarit, uniformat blu sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 20 000 lekë, dy karta telefoni dhe dy aparate telefoni celular. Ndërkohë materialet hetimore i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor për veprën penale të “shfrytëzimit të prostitucionit”, parashikuar nga neni 114 i Kodit Penal. 22-vjeçarja me inicialet V.R. do të ndiqet në gjendje të lirë për veprën penale “ushtrim prostitucioni”.
Ky lajm është publikuar: 26/02/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›