79 persona nxirren gjallë nga rrënojat
79 persona janë nxjerrë të gjallë nga rrënojat e ndërtesave që u rrëzuan pas tërmetit të tmerrshëm 8,8 ballë në Kili. Ashtu siç mendohej, nën ndërtesën 14-katëshe që u rrëzua në qytetin më të goditur nga tërmeti, Concepcion, kishte ende persona të gjallë që prisnin vetëm të liroheshin nga gurët që i kishin bllokuar. Të shtatëdhjetenëntë personat kishin mbijetuar pas katër ditësh nën rrënoja, që pas lëkundjeve të fuqishme të tokës. Pallati i rrëzuar quhej “Alto Rio”. Skuadrat e shpëtimit dhe zjarrfikësit nuk kanë reshtur së gërmuari edhe natën, për të nxjerrë jashtë gërmadhave të gjallë njerëzit e bllokuar bashkë me 7 viktima, pasi ishin të sigurt se kishin dëgjuar zëra nga rrënojat. Gjatë këtyre ditëve ka pasur lëkundje të tjera mbi 4,5 gradë Rihter. Frika është shtuar pasi një fizikan nga Bolivia lëshon alarmin për një tërmet tjetër të fuqishëm në zonat veriore të Kilit, në Arika dhe Ikuike. Fizikani Edson Burgoa ka vënë re një “boshllëk sizmik” mes këtyre dy qyteteve, që mund të shkaktojë një tjetër tërmet me përmasa katastrofike.