Gjykimi, Prokuroria kundër Aldo Bares
Armand Bajrami
Prokuroria për Krimet e Rënda i kërkoi dje gjykatës rrëzimin e kërkesës së Aldo Bares, të akuzuarit si kreu i “bandës së Lushnjës, për gjykimin me kohë të shkurtuar. Sipas prokurorisë, kjo kërkesë nuk mund të vijë pas një kërkese të mëparshme për pavlefshmëri absolute të akteve nga mbrojtësi i Bares. Pretendimi i prokurorisë shtyu edhe për një seancë shpalljen e vendimit të gjykatës për këtë kërkesë. Gjykimi me kohë të shkurtuar “shpëton” Aldo Baren nga burgimi i përjetshëm, nëse ai deklarohet fajtor nga gjykata për akuzat që ka “mbi shpinë”. Nga ana e avokatit mbrojtës të të pandehurit Bare, pretendimi i prokurorisë u konsiderua si absurd. Për shkak të volumit të madh të dosjes dhe kohës së nevojshme për konsultimin me aktet e saj gjykata shtyu dje seancën në një datë të re, ku pritet dhe vendimi i togave të zeza mbi kërkesën e Bares. Vetë i pandehuri Bare nuk ishte i pranishëm në séancë. Interesat e tij përfaqësoheshin nga mbrojtësi i tij Vladimir Meçi, i cili gëzon të gjitha atributet si avokat, përfshi edhe të drejtën e kërkesës për gjykimin e shkurtuar.
KERKESA
Seanca e fundit e këtij procesi u shty me kërkesë të prokurorëve të çështjes, për të shfaqur pretendimet e tyre në lidhje me kërkesën e Bares për gjykim të shkurtuar. Dje prokurorët e çështjes i kërkuan gjykatës mospranimin e saj. Kjo pasi Bare kërkon gjykim në gjendjen në të cilën ndodhen aktet, akte për të cilat më parë ka kërkuar pavlefshmëri. “Kjo kërkese vjen në një kohë kur nga ana e mbrojtësit e tij është bërë kërkesë për pavlefshmërinë e akteve. Në këto kushte referuar vendimit unifikues të datës 13.04.2003 të Kolegjeve të Bashkuar të gjykatës së lartë: gjykimit të shkurtuar midis të tjerave i mungon momenti i kërkesës për pavlefshmërinë e akteve. Rrjedhimisht ne nuk mund të vazhdojmë me këtë lloj kohe gjykimi. Kërkoj që kërkesa të mos pranohet”, u shpreh dje prokurori Besnik Muçi. I pyetur nga gjykata, mbrojtësi i Bares i qëndroi kërkesës së tij të mëparshme. “Ne i parashtruam kërkesat për pavlefshmëri të akteve. Gjykata vendosi që kërkesa nuk qëndronte. Për sa kohë aktet janë të vlefshme, ne i qëndrojmë kërkesës për gjykim të shkurtuar”, u shpreh avokati Meçi.