E Diel, 1 Nëntor 2026

Polici “spiun” i Dritan Dajtit, gjykata refuzon heqjen e arrestit



TIRANE – Gjykata për Krimet e Rënda refuzoi dje kërkesën e Mariglen Muçës, të bashkëpandehurit të Dritan Dajtit, për lirim nga qelia. Nëpërmjet avokatit të tij, ish-polici Mariglen Muça, i akuzuar për “shpërdorim detyre” kërkoi një masë më të lehtë sigurie nga ajo e “arrestit me burg”. Kërkesa u artikulua në seancën e djeshme të procesit me të pandehur Dritan Dajti, të akuzuar për vrasjen e 4 policëve, në 7 gusht 2009 në Durrës dhe të bashkëpandehurve të tij Ergest Xhoxhi dhe Mariglen Muça. Seanca nuk mundi të zhvillohej, për shkak të mungesës së avokatit mbrojtës të të pandehurit Xhoxhi. Avokati Arben Qeleshi, deri një seancë më parë edhe avokat i Dajtit, nuk ishte paraqitur në seancë. Po ashtu asnjë nga të pandehurit, përfshi edhe Dajtin, nuk ishin paraqitur në seancë. Për shkak të mungesës së avokatit, gjykata e pati të pamundur vijimin normal të seancë, ndërkohë që vijoi vetëm me shqyrtimin e kërkesës për mos kompetence nga avokati i të pandehurit Muça. Sipas avokatit Agron Lamaj, Gjykata për Krimet e Rënda nuk ishte kompetente për shqyrtimin e kërkesës së ndryshimit të masës së sigurisë për Muçës. Kërkesa në fjalë nuk u pranua nga gjykata. Në vazhdim, mbrojtësi i Muçës kërkoi caktimin e një masë me të lehtë sigurie se ajo e “arrestit me burg” për klientin e tij. “Praktika nuk tregon asnjë rast kur një i akuzuar për ‘shpërdorim detyre’ të ketë masë arresti. Shkalla e rrezikshmërisë së klientit tim është e tillë që të ketë një masë më të butë sigurie”, u shpreh avokati. Pasi u njoh edhe me pretendimin e Prokurorisë për rrëzim të kërkesës, gjykata e rrëzoi atë. Sipas saj, nuk kishin ndryshuar kushtet për të ndryshuar masën e sigurisë ndaj Mariglen Muçës. Togat e zeza zëvendësuan dje mbrojtësin e avokatit të të pandehurit Ergest Xhoxhi me një avokat kryesisht. Avokati Arben Qeleshi nuk kishte paraqitur asnjë shkak para gjykatës në lidhje me mungesën e tij. Një seancë më parë avokati Qeleshi dha dorëheqjen si mbrojtës i të pandehurit Dritan Dajti. Për të disatën seancë, Dritan Dajti nuk ishte i pranishëm dje në seancë për shkak të problemeve shëndetësore. ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›