Plagosen dy ushtarët e Forcave Speciale
Plagosen dy ushtarë gjatë një stërviste ushtarake në Zall Herr. Lajmi u bë i ditur mbrëmë nga zyra e shtypit e Ministrisë së Mbrojtjes, e cila sqaroi se dy efektivët e forcave tona të armatosura kanë mbetur të plagosur të martën në mesditë teksa po bënin një demonstrim stërvitor. “Kapiten Alban Kurti dhe tetar Albert Kuçaj janë lënduar gjatë hedhjes nga helikopteri në tarracën e një ndërtese në këtë zonë”, thuhet në njoftimin për mediat. Ministria e Mbrojtjes bën të ditur se dy ushtarakët pasi janë plagosur kanë marrë menjëherë trajtimin e nevojshëm mjekësor. Në të njëjtën kohë zyra e shtypit e këtij institucioni sqaron se dy ushtarakët janë jashtë rrezikut për jetën dhe një ekip mjekësor po kujdeset për shërimin e tyre. Kurti e Kuçaj janë pjesë e batalionit të Forcave Speciale. Stërvitja e ditës së martë ishte një prej seancave të radhës që ky batalion ka zhvilluar në zonën e Zall Herrit.