E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrëshqitje dheu, 86 të vdekur



Qindra njerëz janë nën rrënoja në Uganda, pas rrëshqitjeve të mëdha të tokës. Pjesëtarët e ekipeve shpëtimtare përdorën mjete dhe duart e tyre për të nxjerrë nga balta, që ka mbuluar tri fshatra, ndonjë të mbijetuar. Besimtarët në një kishë janë varrosur të gjallë, ndërsa rreth pesëdhjetë studentë konsiderohen të zhdukur pasi ishin strehuar në një spital. Numri i të humburve është mbi 300. Zyrtari i Kryqit të Kuq të Ugandës, Kevin Nabutuva ka konfirmuar numrin e të vdekurve, që ka arritur në 86 dhe shtoi se me qindra njerëz ende konsiderohen të zhdukur. “Me kalimin e kohës, ne presim që të zbulojmë kufoma të tjera”, theksoi Nabutuva. Vendi i tragjedisë u vizitua edhe nga Presidenti i Ugandës, Yoveri Museveni. Rrëshqitjet e dheut ndodhën të hënën dhe të martën, pas reshjeve të fuqishme në rajonin Bududa, rreth 170 km në lindje të kryeqytetit Kampala. Për të shpëtuar banorët janë angazhuar policia, ushtria dhe punëtorët humanitarë. Ky rajon edhe në të kaluarën ka përjetuar rrëshqitje të dheut, por asnjë herë më parë numri i të vdekurve nuk ka qenë kaq i madh.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›