E Diel, 1 Nëntor 2026

Trafik armësh nga Mali i Zi, dy në pranga në Qerret të Kavajës



TIRANE - Dy persona janë arrestuar gjatë një operacioni të koduar “Qerreti 2” në Kavajë, me akuzën e “trafikut të armëve dhe municioneve luftarake”. Policia e Tiranës deklaroi se të arrestuarit janë nga fshati Dushk i Lushnjës dhe janë ndaluar teksa udhëtonin me një makinë tip “Benz”, në afërsi të fshatit Qerret, në drejtim të Rrogozhinës. Burime nga policia thanë se në pranga kanë përfunduar 52-vjeçari Arif Zelo, i proceduar disa herë më parë për vjedhje dhe trafikim lëndësh narkotike dhe 32-vjeçari Ermir Dalipaj. Të dy këta persona hetoheshin nga strukturat e Hetimit të Krimit të Komisariatit të Kavajës, në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, pasi dyshohej se merreshin me trafik armësh. Të njëjtat burime sqaruan se ata blinin armë dhe municion në Mal të Zi, i kalonin në Shqipëri përmes pikës kufitare të Muriqanit dhe më pas i tregtonin në qytete të ndryshme si, Durrës, Kavajë e Lushnjë. Makina tip “Benz” me targë LU 0692 C, me të cilën udhëtonin dy të arrestuarit, Zelo dhe Dalipaj, është ndaluar për një kontroll “të rastësishëm” dhe aty janë gjetur dy armë zjarri të tipit pistoleta “Zastava” me 50 copë fishekë, si dhe një silenciator. Ndërkohë gjatë kontrollit të banesave të tyre në fshatin Dushk të Lushnjës, iu gjetën edhe dy pistoleta të tjera model 27 dhe një tjetër “Zastava” model 70, një armë zjarri automatik, si dhe 50 fishekë të tjerë pistolete. Të gjitha armët u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, ndërsa mësohet se po hetohen edhe raste të tjera, pasi dyshohet se ata kanë trafikuar edhe më parë armë dhe municione nga Mali i Zi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›