Ngelën në provime, hidhen në det
DURRES/ OERD ULQINI
Dy adoleshente të zhdukura nga shtëpia prej 24 orësh tentojnë vetëvrasjen në ujin e ftohtë të detit. Grindjet në familje, lidhur me rezultatet e dobëta në mësime te gjimnazi i Shkozetit që frekuentonin dy kushërirat ishin bërë objekt i fortë debati, aq sa duket se i detyroi të marrin arratinë. Për fat të mirë, rreth orës 17 e 30 minuta, syri i mprehtë i një peshkatari ka dalluar të gjithë skenën, duke arritur në bashkëpunim edhe me persona të tjerë që po shëtisnin buzë detit të nxirrte nga uji dy kushërirat. Në aksion është futur edhe policia kufitare, e cila në bashkëpunim me forcat tokësore kishin nisur operacionin për gjetjen e vajzave të denoncuara si të zhdukura nga prindërit. Dy kushërirat, me inicialet E.K. 16 vjeçe dhe S.B. 17 vjeçe, kishin zgjedhur pistën e vjetër “Iliria” në Durrës në plazhin që mban të njëjtin emër për t’i dhënë fund jetës. Por ndërhyrja e shpejtë e dëshmitarëve okularë, arriti t’i shpëtonte nga uji i ftohtë i detit, i cili në atë zonë ka një thellësi që varion nga 1.5-2 metra. Duket se ideja e vajzave për vetëflijim ishte e qartë. Ato kishin nisur të notonin drejt thellësisë, duke arritur deri në 100 metra larg bregut. Mendohet se në nga i ftohti, ndoshta dhe frika në ato momente, ato kanë nisur të bërtasin. Zona është e ndriçuar, çka ka bërë që ndihma të jetë efikase. Dy kushërirat u transportuan me urgjencë në spitalin e Durrësit, duke iu nënshtruar mjekimeve intensive. Bluzat e bardha pohuan se “vajzat kishin filluar të vuanin nga hipotermia” (ulje e temperaturës trupore nën 36.5 gradë celsius, e cila nëse përkeqësohet sjell paralizë dhe më pas vdekje). Por për fat qëndrimi i vajzave në ujin e ftohtë të detit, temperatura e të cilit llogaritej në 5-6 gradë celsius zgjati vetëm pak minuta, duke u dhënë adoleshenteve shanse mbijetese. Mjekët arritën të ngrohnin në urgjencë trupat e brishtë, duke i hequr edhe ujin e detit që kishin gëlltitur. Denoncimi në policinë e Durrësit mbi dy vajzat e zhdukura me origjinë nga Librazhdi, ka mbërritur që në datën 2 mars, kur prindërit i raportuan hetuesve largimin nga shtëpia, si dhe letrën ku përcaktohej si motiv ngelja në provimet semestrale. Shtetasi A.K. prindi 45-vjeçar i njërës prej vajzave kishte bërë kallëzim dhe policia i kishte shpallur vajzën në kërkim. Për fat të mirë uniformat policore u shfaqën që në sekondat e para të operacionit shpëtues, duke i dhënë fund përpjekjeve për vetëflijim, të cilat duket se e patën shtysën nga sedra e sëmurë e vajzave përpara prindërve.