Shqiptari vrasës i rekrutuar në Itali
Arrestohet i moshuari që kishte “rekrutuar” një shqiptar për të vrarë “rivalin” e tij në dashuri në vitin 2005. Tre ditë pas vrasjes, shqiptari është larguar nga Italia për të mos u kthyer më, ndërsa “porositësi” i krimit u arrestua dje në provincën e Rexhio Kalabrias, në Itali. Prokurorët italianë kanë zbardhur dje një ngjarje të 5 viteve më parë, që dyshohet të ketë pasur si motiv xhelozinë mes dy personave të lidhur në kohë të ndryshme me të njëjtën femër. Pietro Anxhelo Alosio, 67 vjeç është arrestuar nga karabinierët në vendin fqinj, si personi që ka urdhëruar vrasjen e Françesko di Paces. Ndërkaq është shpallur në kërkim një 34-vjeçar shqiptar, i dyshuar si ekzekutori i viktimës. Lajmi u bë i ditur nga mediat italiane, të cilat jepnin identitetin e shqiptarit të dyshuar si vrasës. “Alosio akuzohet për ‘vrasje me dashje në rrethana rënduese’. Ndërkohë që është në kërkim shqiptari Bledi Mingu, 34 vjeç, i dyshuar si autor i krimit, i kthyer në Shqipëri menjëherë pas ngjarjes dhe aktualisht ndodhet në arrati”, citonte dje “TGcom”. Referuar burimeve, të dy personat akuzohen për vrasjen e Francesko Paces, 45 vjeç, në Rexhio Kalabria në 24 tetor 2005, nga një person që shkarkoi mbi të dy plumba të kalibrit 7.65 milimetër.
HISTORIA
Sipas burimeve mediatike italiane, vrasja e Françesko Paces, 5 vjet më parë është klasifikuar nga hetuesit si një ngjarje për motive pasioni dhe xhelozie. Referuar hetimeve, Alosio, ish drejtues në një fabrike kimike, kishte pasur një lidhje me M. Pagliano, femrën që bashkëjetonte me Françesco di Pace. Bëhet e ditur se kjo lidhje ka zgjatur gjatë kohës qe Françesko Pace ishte duke vuajtur një dënim me burg për përfshirje në trafik narkotikësh. Në vitin 2004, Pace është liruar nga burgu dhe i është rikthyer lidhjes së tij me Paglianon, në një kohë që ajo ishte shkëputur nga Alosio. Në të njëjtën periudhë, Alosio kishte qenë nën hetim si i dyshuar për vrasjen e bashkëshortes së tij, e cila ishte vrarë me armë zjarri në 12 shkurt 2004. Pas vrasjes së Paces, dyshimet e para të Prokurorisë ishin ato të “larjes së hesapeve”, për shkak të precedentëve të mëparshëm të viktimës me lëndët narkotike. Ndërkohë për shqiptarin Mingu, të identifikuar si autor të ekzekutimit, gjykata e Rexhio Kalabrias ka nxjerrë një urdhër arresti ndërkombëtar.