E Diel, 1 Nëntor 2026

8 Dhjetori, Berisha nis fushatën me stilin e Obamës

 

ADI SHKEMBI

Në ditën përkujtimore të lëvizjes studentore, kryeministri Berisha shfaqet para publikut me një performancë të ngjashme me atë të kandidatit amerikan, Barack Obama. Jo vetëm slogani i kësaj feste, i cili kishte në qendër të tij ndryshimin, por edhe pankartat e vendosura në të katër anët e pallatit të sportit "Asllan Rusi" krijonin një atmosferë tërësisht amerikane. Skena e krijuar ditën e djeshme është parë shpesh së fundi nga shqiptarët në fushatën elektorale të SHBA-së, por në veçanti të kandidatit demokrat, i cili me sloganin "Ne kemi nevojë për ndryshim" fitoi zemrat e amerikanëve. Këngëtarët më të rinj të skenës shqiptare, por edhe zërat më të njohur të saj, si Redon Makashi, Aleksandër Gjoka etj., performuan para mijëra të rinjve që kishin mbushur sallën e Pallatit të Sportit "Asllan Rusi", në një aktivitet që u organizua nga Ministria e Turizmit dhe Kulturës, por të ideuar formën e tij amerikane nga stafi i ngushtë i kreut të qeverisë. Pikërisht në këtë atmosferë, nën moton "Shqipëria po ndryshon" kryeministri Berisha foli edhe për mandatin e dytë të koalicionit që ai drejton. "Me ju në Bukuresht morëm ftesën e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, të shndërrimit në realitet të ëndrrës suaj të bukur atllantiste. Me ju së bashku Shqipërinë do ta bëjmë anëtare të aleancës më të madhe të lirisë që kohërat kanë njohur. Me ju ne ecim të sigurt drejt një mandati të dytë, mandati për rininë e vendit tim, për shndërrimin e plotë të ëndrrave të saj në realitet. Ne do ta fitojmë atë! Unë ju dua shumë!", theksoi kryeministri Berisha para qindra të rinjve që kishin mbushur pallatin e sportit në kryeqytet. Përmes ovacioneve dhe entuziazmit të të rinjve, Kryeministri Sali Berisha e cilësoi 8 Dhjetorin e vitit 1990 "ditëlindjen e vërtetë të lirive dhe të drejtave të mbarë qytetarëve shqiptarë". "Në 8 Dhjetor të vitit '90 studentët e Universitetit të Tiranës, me në krye heronjtë e tyre të pavdekshëm, Azem Hajdarin, u përballën në rrugët dhe sheshet e Tiranës me diktaturën më të egër dhe më barbare të Evropës, e gjunjëzuan atë dhe hapën dyert e lirisë, përmbysën një epokë", theksoi kreu i qeverisë. Në të njëjtën kohë ai u ndal edhe në investimet e ndërmarra nga qeveria në fushën e arsimit, duke premtuar akoma më shumë investime në mandatin e dytë. Në fund mes fishekzjarrëve, kreu i qeverisë la skenën për të ndjekur nga afër koncertin me rastin e kësaj dite.

Slogani
Fjala "ndryshim" duket se do të ndjekë Partinë Demokratike edhe gjatë fushatës së ardhshme për zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2009. Në vitin 2005 demokratët së bashku me aleatët e tyre dolën në fushatë me sloganin "Koha për ndryshim", ndërsa tani pas katër vjetësh të mandatit të tyre "Shqipëria po ndryshon". Demokratët e zgjodhën këtë slogan pak kohë më parë, teksa fillimisht dolën me sloganin "Shqipëria në NATO".

12 dhjetori
Katër ditë më vonë, në pallatin e kongreseve pritet të mbahet një tjetër koncert i ngjashëm me atë të ndjeshmin nga Partia Demokratike. Të premten, forca më e madhe e koalicionit të djathtë do të festojë 18 vjetorin e krijimit të saj. Partia e parë anti komuniste në vend u krijua vetëm pak ditë pas nisjes së protestave nga ana e studentëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›