Bajrami, Topi: Ditë paqeje e solidariteti
Politika shqiptare uron besimtarët për festën e Kurban Bajramit. Gjatë vizitës së tij në selinë e Komunitetit Mysliman Shqiptar, kreu i shtetit përcolli urimet më të mira për besimtarët myslimanë në kremtimin e kësaj feste. Presidenti i Republikës, Bamir Topi, tha se festa e Kurban Bajramit është një pikë referimi për sakrificën njerëzore dhe një ditë solidariteti e paqeje.
"Sot është një ditë e veçantë dhe uroj të gjithë besimtarët myslimanë kudo ku ata ndodhen. Qoftë kjo dita e begatisë për çdo familje shqiptare. Besoj se sot secili ka një moment refleksioni për ta konsideruar këtë ditë si pikë referimi për sakrificën njerëzore, për atë që është në nevojë dhe për atë që ka nevojë të ndihmohet, por natyrisht kjo është dhe një ditë solidariteti e paqeje", u shpreh Presidenti Topi në një prononcim për gazetarët.
Kryeministri Sali Berisha u shpreh se, "këtë vit Kurban Bajrami i gjen shqiptarët më mirë se kurrë, më afër ëndrrave dhe qëllimeve të tyre, gjen Kosovën e pavarur". "Uroj të gjithë besimtarët myslimanë shqiptarë gëzuar këtë ditë të bekuar, ditë të bardhë me të cilën nderojmë sakrificën, faljen, mëshirën, përkushtimin dhe devocionin", u shpreh Kryeministri në një deklaratë për gazetarët gjatë vizitës në selinë e Komunitetit Mysliman në Tiranë me rastin e festës së Kurban Bajramit.
Gjatë vizitës në selinë e Komunitetit Mysliman, Kryeministri Berisha shoqërohej nga Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. Komunitetin Mysliman e vizituan edhe përfaqësues të partive të opozitës, si dhe ambasadori amerikan në Tiranë, John L. Withers. Dhe përfaqësuesit e partive të ndryshme kanë preferuar të urojnë në këtë ditë të veçantë pa folur për çështje të politikës në këtë ditë feste. Deputeti socialist Gramoz Ruçi uroi në emër të PS-së besimtarët myslimanë. "Sot në emër të PS-së formulojmë urimet më të përzemërta, lumturi, gaz dhe hare për gjithë shqiptarët, pavarësisht bindjeve fetare. Sot është dita të heshtim për politikën dhe pavarësisht bindjeve të festojmë këtë ditë". Edhe kreu i LSI-së, Ilir Meta, ka qenë në selinë e Komunitetit Mysliman dhe ka drejtuar urimin e tij për besimtarët myslimanë. "Një urim për gjithë shqiptarët. Sot është një kohë e mirë dhe ogur i mirë për ato që vijnë pas kësaj feste. Nuk dua ta ngatërroj festën sot me politikë apo zhvillime konkrete, por besoj që edhe politika të jetë më e paqtë, ashtu sikurse janë edhe komunitetet e paqta fetare në vend", tha Meta.