Lejet e ndërtimit, gati ndryshimet
ADI SHKEMBI
Qeveria bën gati ndryshimet në ligjin e urbanistikës. Pas raportit të fundit të Bankës Botërore, që rendiste Tiranën ndër qytetet me më shumë procedura burokratike për marrjen e një leje ndërtimi, pritet që së shpejti të miratohet në Këshillin e Ministrave një draft me disa ndryshime në këtë ligj. Gazeta boton sot të plota ndryshimet që do të propozohen nga vetë kryeministri Berisha. Drafti prek katër pika kryesore dhe që kanë të bëjnë me procedurat e aplikimit, afatet, parimin e miratimit në heshtje si dhe parimin e shërbimit me një ndalesë.
Aplikimi
Në draftin që do të miratohet në qeveri parashikohet shkurtimi i procedurave për të bërë të mundur në këtë mënyrë edhe shkurtimin e burokracive për të marrë një leje ndërtimi. Sistemi ekzistues parashikon që të gjitha ndërtimet e aplikimet të kalojnë përmes dy fazave, që janë leja e sheshit të ndërtimit dhe leja e ndërtimit. "Me ndryshimet e propozuara parashikohet që procedura të shkurtohet, duke shmangur aplikimin për leje sheshi të ndërtimit për trojet private. Pra, për trojet publike sistemi do të qëndrojë në dy faza, leje sheshi ndërtimi dhe leje ndërtimi", thuhet në relacionin e këtij drafti të hartuar nga stafi i kryeministrit Berisha. Lidhur me trojet në pronësi private, aplikimi do të zhvillohet në një gazë, në atë të lejes së ndërtimit.
Afatet
Një tjetër pikë e rëndësishme e raportit të Bankës Botërore "doing bussines' ishin pikërisht afatet ku theksohej se për të marrë një leje ndërtimi duhen afërsisht 365 ditë. Ndryshimet dhe shtesat e propozuara në këtë draft përcaktojnë një afat 58 ditor të miratimit të lejes së ndërtimit. "Afati i miratimit është ndarë në nëndarjet e mëposhtme: (i) faza e pranimit të aplikimeve 7 ditë; (ii) faza e shqyrtimit të lejes 45 ditë; (iii) faza e zbardhjes 5 ditë; (iv) tërheqja e lejes pas pagesës së taksave 1 ditë", theksohen në relacionin e qeverisë. "Njësia e urbanistikës në Bashkinë e Tiranës, në bashkitë e kategorisë I, bashkitë e tjera dhe komuna ka këto kompetenca: Përgatit vendimet e KRRT-së dhe dokumentacionin e nevojshëm teknik, bashkë me kushtet urbanistike, sipas studimeve të miratuara. Pas miratimit nga kryetari i KRRT -se, ia dorëzon kërkuesit jo më vonë se 10 ditë pas marrjes së vendimit, pasi kërkuesi të këtë paguar sipas ligjit detyrimet ndaj shtetit", thuhet në nenin 22/1 pika 9 të draftit që pritet të miratohet.
"Heshtja është miratim"
Parimi i përsëritur disa herë nga kryeministri Berisha, sipas të cilit, një leje do të konsiderohet e marrë nëse nuk kthehet përgjigje sipas afateve të përcaktuara, është një prej pikave të draftit të hartuar nga qeveria. Sipas relacionit "vendosja e afateve të aplikimit dhe të shqyrtimit të lejeve nuk do të kishte kuptim nëse nuk vendosen instrumente, që do të garantonin zbatimin e afateve. Për këtë arsye, këto ndryshime dhe shtesa përcaktojnë që, nëse leja nuk shqyrtohet brenda një afati 45 ditor, ajo vlerësohet e miratuar në heshtje". Ky parim është sanksionuar pikërisht në nenin 45, ku është shtuar një paragraf, sipas të cilit "Kur autoriteti përgjegjës nuk dërgon përgjigje në adresë të kërkuesit, si më sipër, aplikimi vlerësohet i pranuar në heshtje dhe vijon shqyrtimi".
Ndryshimet në ligjin për urbanistikën
Neni 1 ishte
"Planimetri e sheshit të ndërtimit" është materiali grafik që nxirret nga studimi urbanistik pjesor dhe i bashkëngjitet vendimit për miratimin e sheshit të ndërtimit dhe kushteve urbane të tij.
Neni 1 bëhet
"Planimetri e sheshit të ndërtimit" është materiali grafik që nxirret nga studimi urbanistik pjesor dhe i bashkëngjitet vendimit për miratimin e lejes së ndërtimit dhe kushteve urbane të tij.
Neni 20 pika 1, gërma 'dh' shfuqizohet
1. KRRT -ja në qark ka kompetencë të shqyrtojë dhe të miratojë:
dh) studimet urbanistike, sheshet dhe lejet e ndërtimit jashtë vijave kufizuese te fshatrave, ne zbërthim dhe zbatim të masterplaneve
Neni 20 paragrafi i fundit ishte
KRRT -ja në qark ka kompetencë të shqyrtojë dhe të miratojë:
Materialet që kalojnë për kompetencë në KRRTRSH duhet të dorëzohen në sekretarinë e saj teknike jo më vonë se 60 ditë pas miratimit të tyre nga KRRT -ja e qarkut ose bashkisë/komunës.
Neni 20 paragrafi i fundit bëhet
KRRT -ja në qark ka kompetencë të shqyrtojë dhe të miratojë:
Materialet që kalojnë për kompetencë në KRRTRSH duhet të dorëzohen në sekretarinë e saj teknike, jo më vonë se 10 ditë pas miratimit të tyre nga KRRT -ja e qarkut ose bashkisë/komunës.
Neni 22 pika 9 ishte
Seksioni i urbanistikës në qark ka këto kompetenca:
9. Përgatit vendimet e KRRT -së, dokumentacionin teknik, bashkë me kushtet urbanistike, të miratuara nga KRRT -ja, sipas nenit 6 të këtij ligji. Pas miratimit, 2 kopje origjinale të materialit ia dorëzon kërkuesit ose bashkisë/komunës, në juridiksionin e së cilës ndodhet zona e studiuar, jo më vonë se 30 ditë pas marrjes së vendimit të KRRT-së.
Neni 22 pika 9 bëhet:
Seksioni i urbanistikës në qark ka këto kompetenca:
9. Përgatit vendimet e KRRT -se, dokumentacionin teknik, bashkë me kushtet urbanistike, të miratuara nga KRRT -ja, sipas nenit 6 të këtij ligji. Pas miratimit, 2 kopje origjinale të materialit ia dorëzon kërkuesit ose bashkisë/komunës, në juridiksionin e së cilës ndodhet zona e studiuar, jo më vonë se 5 ditë pas marrjes së vendimit të KRRT-së.
Neni 22/1 pika 7 ishte
Njësia e urbanistikës në Bashkinë e Tiranës, në bashkitë e kategorisë I, bashkitë e tjera dhe komuna ka këto kompetenca:
7. Shqyrton kërkesat për sheshe dhe leje ndërtimi të çdo objekti dhe dokumentacionin përkatës, në përputhje me planin e përgjithshëm rregullues dhe studimin e pjesshëm urbanistik të miratuar dhe i paraqet atë në këshillin teknik dhe në KRRT.
Neni 22/1 pika 7 bëhet
Njësia e urbanistikës në Bashkinë e Tiranës, në bashkitë e kategorisë I, bashkitë e tjera dhe komuna ka këto kompetenca:
7. Shqyrton kërkesat për sheshe në rastin e trojeve publike si dhe sheshe e leje ndërtimi të çdo objekti, në rastin e trojeve private si dhe dokumentacionin përkatës, në përputhje me planin e përgjithshëm rregullues dhe studimin e pjesshëm urbanistik të miratuar dhe i paraqet atë në këshillin teknik dhe në KRRT.
Neni 22/1 pika 9 ishte
Njësia e urbanistikës në Bashkinë e Tiranës, në bashkitë e kategorisë I, bashkitë e tjera dhe komuna ka këto kompetenca:
9. Përgatit vendimet e KRRT-se dhe dokumentacionin e nevojshëm teknik, bashkë me kushtet urbanistike, sipas studimeve të miratuara. Pas miratimit nga kryetari i KRRT -së, ia dorëzon kërkuesit jo më vonë se 30 ditë pas marrjes së vendimit, pasi kërkuesi të ketë paguar sipas ligjit detyrimet ndaj shtetit.
Neni 22/1 pika 9 bëhet
Njësia e urbanistikës në Bashkinë e Tiranës, në bashkitë e kategorisë I, bashkitë e tjera dhe komuna ka këto kompetenca:
9. Përgatit vendimet e KRRT-se dhe dokumentacionin e nevojshëm teknik, bashkë me kushtet urbanistike, sipas studimeve të miratuara. Pas miratimit nga kryetari i KRRT -se, ia dorëzon kërkuesit jo më vonë se 10 ditë pas marrjes së vendimit, pasi kërkuesi të ketë paguar sipas ligjit detyrimet ndaj shtetit.