E Diel, 1 Nëntor 2026

Nafta, grosistët dyfishojnë fitimet

 

Një llogari e thjeshtë, me shifrat e tregtisë së naftës në vite, nxjerr "zbuluar" fitimet marramendëse të tregtarëve të naftës në Shqipëri. Janë shifra që gjenden lehtë në shkrimet në arkivat statistikore. Përballja e këtyre shifrave tregon qartë se fitimet e grosistëve dhe tregtarëve të vegjël të naftës në Shqipëri, i kalojnë caqet e normales. Gazeta ka bërë krahasimin e çmimit të shitjes sot, bashkë me kursin e këmbimit të dollarit me çmimin e bursave ndërkombëtare të arit të zi. Dhe vetëm nga kjo llogaritje del qartë se fitimet e tregtarëve janë disafishuar për një periudhë prej 3 vitesh.
Llogaritja
Sot një litër në bursat ndërkombëtare shitet me 40 USD/fuçi. Por kuptohet që ky çmim është ulur menjëherë dhe tregtarët shqiptarë do të kenë alibinë e importit të pamundur. Sidoqoftë ka më shumë se një muaj që çmimi i naftës është në kuotën e 50 dollarëve për fuçi. Për efekt llogaritjeje, do të marrim këtë shifër si çmimin referues. Sipas statistikave, një dollar amerikan në Shqipëri konvertohet me 96 lekë. Pra, një fuçi naftë sot kushton 4800 lekë. Dje në treg një litër naftë kushtonte mesatarisht 125 lekë.
Gjatë verës një fuçi naftë në bursat ndërkombëtare arriti deri në 145 dollarë amerikanë. Ky ishte një çmim rekord, i cili u pasqyrua në mënyrë të menjëhershme në tregun shqiptar. Në verë mesatarisht një dollar amerikan u këmbye me 76 lekë. Pra, një fuçi nafte kushtonte 11.020 lekë. Në atë kohë një litër naftë në treg shitej mesatarisht me 170 lekë për litër. Ky ishte çmimi mesatar, por në treg kishte shumë pika që tregtonin naftën edhe me 172 lekë/litër.
Me një llogari të thjeshtë, çmimi i naftës në tregjet ndërkombëtare është ulur nga 145 USD/fuçi, në 50 USD/fuçi. Por këtu ka ndikim edhe kursi i këmbimit dhe llogaria duhet të bëhet në lekë. Kështu në momentin që një fuçi nafte në tregjet ndërkombëtare ishte 145 USD, në Tiranë kjo fuçi kushtonte 11.020 lekë. Ndërsa sot që çmimi është 50 USD/fuçi, në Shqipëri me konvertimin në dollarë kushton 4800 lekë. Nga llogaritja del që çmimi i një fuçie naftë në tregjet ndërkombëtare, të konvertuara me lekë, është sot sa 44 për qind e çmimit maksimal, ose është ulur me 56 për qind. Por kjo s'ka ndodhur me çmimin e naftës. Në Shqipëri çmimi i naftës ishte maksimalisht 170 lekë/litër, ndërsa dje u tregtua mesatarisht me 125 lekë/litër. Sot çmimi në Shqipëri është sa 74 për qind e atij të verës, ose me një ulje prej rreth 26 për qind. Pra, çmimi në treg prej 45 lekësh (nga 170 lekë/litër në 125 lekë/litër), është sa gjysma e uljes së çmimit në tregjet ndërkombëtare, nga ku blihet karburanti. Sot duke ruajtur të njëjtin nivel fitimi si në verën e këtij viti, tregtarët duhet ta shisnin naftën të paktën 90 lekë më lirë. Sot një litër naftë duhej të tregtohej me 80 lekë/litër. E gjithë pjesa tjetër e çmimit vetëm maksimizon fitimet e grosistëve dhe tregtarëve të tjerë.
Tregtarët nuk kanë faj
Tregtarët shqiptarë të naftës nuk abuzojnë me çmimin. Asnjë biznesmen nuk quhet abuzues kur rrit fitimet e veta. Ky lloj fitimi në ekonominë e tregut, është krejt legjitim dhe varet nga kërkesa dhe oferta. Por fitime kaq të mëdha, sigurisht që duhet të shqetësojnë mbikëqyrësit e tregut. Fitime të tilla të dyfishuara në më pak se 6 muaj, sigurisht që hedhin dyshime për kartele dhe bashkëpunime mes grosistëve. Sidoqoftë, deri në vërtetimin e akuzave të tilla, të përsëritura edhe nga kryeministri i vendit disa herë, këta tregtarë thjeshtë shfrytëzojnë kërkesën e tregut. Në rast se do të besojmë këtë tezë, atëherë financat shqiptare duhet të dalin muaj për muaj, dhe t'i tregojnë shqiptarëve se sa para më shumë janë marrë nga fitimet e tregtarëve të karburanteve. Kjo si e vetmja mënyrë që fitimi i tyre i maksimizuar po taksohet realisht dhe paratë që ne japim për të blerë karburant do të na kthehen nga qeveria. Në rast se edhe kjo tezë nuk vërtetohet nga organet shtetërore, atëherë jemi dy herë të humbur. Një herë kur blejmë dhe pasurojmë grosistët dhe herën e dytë kur këta të fundit nuk na i japin paratë e taksave për të na u kthyer në investime.

Llogaritja

Ishte

Çmimi i naftës në bursa
145 USD/fuçi

Kursi i këmbimit   
76 lekë/USD

Çmimi i naftës (në lekë)
11020 lekë/fuçi

Çmimi i naftës në treg
170 lekë/litër

Eshtë

Çmimi i naftës (në USD)
50 USD/fuçi

Kursi i këmbimit   
96 lekë/USD

Çmimi i naftës (në lekë)
4800 lekë/fuçi

Çmimi i naftës në treg
125 lekë/litër

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›