8 Marsi; Aktivitet festiv për gruan në paraburgimin 313
Në ambientet e paraburgimit “Jordan Misja” dje është zhvilluar një aktivitet për festën e gruas, në kuadër të festës së 8 Marsit. Kanë qenë gra dhe vajza të dënuara nga burgu 325 që kanë përgatitur një shfaqje me rastin e kësaj feste, me një program të larmishëm, duke uruar nënat dhe motrat e tyre me rastin e kësaj feste. Programi argëtues nisi me recitimin e disa poezive nga vajzat e burgosura, të dënuara për vepra të ndryshme penale si vrasje, trafik droge etj. Këto poezi u kushtoheshin nënave të tyre, disa prej të cilave ndodheshin jashtë kufijve ose nuk jetonin më. Poezitë më të bukura kushtuar nënës janë konsideruar nga disa të dënuara ato të dy vajzave të këtij burgu, Nulifer Elezi dhe Sonila Dinoshi, e para me nënën larg në Maqedoni dhe nëna e së dytës që nuk jeton më. Më pas, programi vijoi me një version të tragjedisë shekspiriane në ditët e sotme, “Romeo e Zhuljeta”, pjesë e aktruar nga katër të dënuara. Programi do të vijonte me disa poezi të tjera dhe valle tradicionale nga origjinat e të dënuarave, për t’u mbyllur me një kërcim të të gjitha grave të pranishme në aktivitet. Lidhur me këtë aktivitet të organizuar si përherë nga burgu 325, drejtoresha Irena Çela u shpreh se zhvillohet në kuadër të festës së gruas dhe se po për këtë festë, në datat 7-8 mars në burgun 325 pritet të zhvillohen edhe dy aktivitete të tjera, një koncert dhe një aktivitet me praninë e fëmijëve të disa prej të dënuarave.