“Banda e Durrësit” Mungesa e avokatëve, sërish shkak për dështimin e gjyqit
Gjykata e Krimeve të Rënda ka qenë sërish e detyruar të shtyjë seancën e radhës në ngarkim të të pandehurve të “Bandës së Durrësit”. Shkak janë bërë sërish avokatët. Dje, mungonte avokati i Indrit Dokles dhe Kujtim Bunës, Petraq Semani, i cili ndodhet jashtë vendit dhe për këtë arsye ka njoftuar më parë gjykatën. E gjendur përballë kushteve të tilla, gati të njëjta në çdo seancë, gjykata vendosi të zëvendësojë avokatin Semani me një avokate kryesisht, Jalldyz Kastratin. Por, ndërkohë që kjo e fundit pranoi të vijonte me mbrojtjen, avokatët e tjerë dhe i pandehuri Dokle reaguan, duke u shprehur se ka konflikt, pasi kjo avokate ka mbrojtur më parë një tjetër të pandehur. Kjo solli shtyrjen e seancës, ndërkohë që zhvillimi i saj ditëve të hëna, pra dy herë në javë siç ka kërkuar organi i akuzës, nuk mund të zhvillohet pasi avokatët nuk pranojnë të paraqiten në gjykatë për shkak të impenjimeve të tjera.