E Shtunë, 31 Tetor 2026

Këshilltarët bashkiakë të LSI-së iu bashkohen atyre socialistë

VLORË/ Gjatë mbledhjes së djeshme të këshillit bashkiak, tre prej këshilltarëve kanë deklaruar largimin


VLORË - Mbledhja e radhës e këshillit bashkiak të Vlorës ka sjellë ndryshime në përbërjet e grupeve, ndërsa është bojkotuar më pas nga shumica e këshilltarëve. Tre këshilltarë të këshillit bashkiak të Vlorës, të grupit të LSI-së, i janë bashkuar këshilltarëve socialistë.

Deklarata e bërë nga këshilltarja Albana Hodaj ka pasur në brendësi edhe qëndrimin e dy këshilltarëve të tjerë të LSI-së, Artan Liçaj dhe Morand Hoxhaj. Në këtë deklaratë këshilltarët e Lëvizjes Socialiste për Integrim paraqisnin zhgënjimin që kishin marrë nga zhvillimet e fundit të forcës politike te e cila kishin kontribuar dhe besuar. Sipas deklaratës, ata do të mbeteshin përfaqësues të së majtës, ndërsa kanë kërkuar të mos u keqinterpretohej qëndrimi i tyre.

Gjithsesi, një tjetër përfaqësuese e LSI-së në këtë këshill, Shqiponja Korkaj, tha se ky largim nuk i zbeh vlerat e partisë në të cilën ajo do të vijonte të aderonte. Në mbledhjen e djeshme nuk ka marrë pjesë kryetari i këshillit bashkiak, Arben Sinani, i cili është gjithashtu përfaqësues i LSI-së.


Mbledhja u bojkotua më pas nga këshilltarët socialistë, pasi sipas tyre, nuk kishin marrë asnjë qëndrim institucional në lidhje me shkarkimin e pedagogut Sokol Gjika nga rektorati i Universitetit të Vlorës. Duke kërkuar ndjesë për ngërçin institucional, ata kanë kërkuar ndërgjegjësim për mirëfunksionimin e Kushtetutës në Republikën e Shqipërisë.


Në emër të grupit socialist, Eltar Deda ka përcjellë qëndrimin që do të mbahej rreth pushimit nga puna të pedagogut, këshilltar socialist, i cili u përjashtua sepse mori pjesë në mbledhjen e këshillit. Nga këshilltarët demokratë bojkotimi është cilësuar thjesht pjesë e lojës politike për fushatën elektorale që tashmë ka nisur.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›