E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hetim Pangos,i rëndojnë 3 akuza

Hetuesit po verifikojnë vërtetësinë e pamjeve dhe më pas pritet të thirren si dëshmitarë drejtuesit dhe gazetarja që filmoi ministrin

Prokuroria e Përgjithshme ka sekuestruar dje kasetat filmike të regjistruara nga "Fiks fare"

TIRANË- Pas publikimit të skandalit seksual të ish-Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ylli Pango, ndërsa i kërkonte favore intime një vajze kundrejt vendit të punës, Prokuroria e Përgjithshme fillon hetimet për zbardhjen e kësaj ngjarjeje të pa precedent. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare pranë institucionit të akuzës, të cilët shtuan se mëngjesin e djeshëm, një nga hetuesit e kësaj "dosjeje" ka zbritur në zyrat e televizionit kombëtar "Top- Channel" dhe ka sekuestruar kasetat e regjistruara të këtij skandali.

"Me publikimin e pamjeve filmike mbrëmjen e së mërkurës nga emisioni "Fiks-Fare", ku ish-ministri Ylli Pango shfaqet dhe dëgjohet në tentim për të kryer marrëdhënie seksuale me një vajzë që kërkonte punë pranë institucionit që ai drejton, Prokuroria e Përgjithshme me urdhër të Drejtoritë të Hetimit dhe Ndjekjes Penale prokurorit Sokol Stojani, ka sekuestruar të gjitha materialet filmike dhe zanore që emisioni 'Fiks-Fare" disponon për këtë rast"-thuhet nga burimet zyrtare.

Sipas tyre, arsyeja e sekuestrimeve të kasetave filmike është verifikimi dhe vërtetimi i pamjeve të transmetuara nga emisioni satirik investigativ, 'Fiks-Fare".

Sipas këtyre burimeve, mësohet se paraditen e djeshme, një nga hetuesit e ngarkuar për mbledhjen e provave materiale për këtë çështje, në prani të drejtuesve të emisionit "Fiks-Fare" ka pranuar kopjet e kasetave të regjistruara me pamje vizive dhe audio, ku evidentohet ish-ministri Pango me vajzën (gazetaren) duke i kërkuar asaj favore seksuale, kundrejt punës që ai i ofronte në dikasterin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe në një Institut Studimor.


"Më datën 4 mars 2009, në emisionin "Fiks-Fare", të orës 20:15 minuta, të dhëna nga televizioni "Top-Channel", është transmetuar një regjistrim audio-vizive në të cilën pasqyrohen veprimet e kryera nga ish-Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, z.Ylli Pango.

Për qëllime që kanë rëndësi për verifikimin dhe vërtetimin e fakteve të veprës penale, është e nevojshme dhe e domosdoshme të na vihet në dispozicion kaseta filmike me gjithë materialin bruto që disponohet nga televizioni juaj për këtë rast, si dhe transkriptimi i materialit që është dhënë..."- thuhet në shkresën dërguar televizionit "Top-Channel" nga Prokuroria e Përgjithshme, që mban nr. e protokollit 778 të datës 5 mars 2009.


Gjithashtu, burimet pranë institucionit të akuzës, shtuan se nga regjistrimet e transmetuara del qartë që ish-ministri Pango me veprimet e tija ka kryer elementë të tre veprave penale. "Nëse pamjet e transmetuara rezultojnë të jenë të vërteta dhe të pa censuruara apo montuara, për ish-ministrin Ylli Pango do të kërkohet heqja e imunitetit për kryerjen e tre veprave penale.


Atë të "Marrëdhënies seksuale ose homoseksuale duke shpërdoruar detyrën" të mbetur në tentativë të parashikuar në Nenin 105 të Kodit Penal, akuzën e "Korrupsionit aktiv të funksionarëve të lartë shtetëror ose të zgjedhurve vendorë" të parashikuar në Nenin 245 të Kodit Penal dhe akuzën e "Shpërdorimi i detyrës" të parashikuara nga Neni 248 i Kodit Penal në fuqi"-thanë burimet e akuzës. Sipas parashikimeve të këtyre neneve, nëse ish-ministri Pango rezulton fajtor për këto vepra penale rrezikon dënimin me gjobë nga 300 mijë lekë deri në 1 milion lek të reja dhe deri në 7 vjet


Veprat penale të shkelura sipas neneve të Kodit Penal
Neni 105
Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale duke shpërdoruar detyrën


"Kryerja e marrëdhënieve seksuale ose homoseksuale duke shpërdoruar marrëdhëniet e varësisë ose të detyrës, e mbetur në tentativë dënohet me burgim gjer në tre vjet".


Neni 245


Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë.
"Premtimi, propozimi ose dhënia drejtpërdrejt ose tërthorazi, i çfarëdo përfitimi të parregullt, funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë, për vete ose për persona të tjerë për të kryer ose mos kryer një veprim, që lidhet me detyrën a funksionin e tij, dënohen me burgim nga 1-5 vjet dhe me gjobë nga 500.000 - 2.000.000 lekë".

Neni 248
Shpërdorimi i detyrës

"Kryerja ose mos kryeja me dashje e veprimeve a e mosveprimeve në kundërshtim me ligjin, që përbën mospërmbushje të rregullt të detyrës, nga personi që ushtron funksione publike, kur i kanë sjellë atij ose personave të tjerë përfitime materiale ose jo materiale të padrejta, a kanë dëmtuar interesat e ligjshme të shtetit, të shtetasve dhe të personave të tjerë juridikë, nëse nuk përbën vepër tjetër penale dënohet me burgim deri në shtatë vjet dhe me gjobë nga 300.000 - 1.000.000 lekë".

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›