Universiteti i Durrësit, këtë vit me më shumë kuota
Megjithëse ishte premtuar nga MASH-i fillimi i punimeve për ndërtimin e godinës së re, pjesë e Universitetit “A. Moisiu” në Durrës, deri tani MASH-i nuk ka dhënë ende sinjalin pozitiv. Ndërtimi i kësaj ndërtese do të ishte një lehtësi e madhe për rektoratin i cili po ndeshet me vështirësi të mëdha në procesin e mësimdhënies për shkak të numrit të madh të studentëve dhe auditorëve të pamjaftueshëm të godinës së vetme. Në tetorin e vitit 2008, MASH-i mori nga APD-ja godinën e ish-klubit të kulturës së portit detar me qëllim shembjen e ngrehinës së vjetër dhe ndërtimin e një ndërtese të re me qëllim zgjerimin e Universitetit të Durrësit “Aleksandër Moisiu”.
Godina
Sipas deklaratave të drejtuesve të MASH-it, të bërë në fund të verës së vitit 2008, këtë sezon do të niste ndërtimi i godinës së re. Por deri tani, nuk ka ndonjë shenjë se kjo punë do të nisë. Edhe në Bashkinë e Durrësit nuk kanë marrë ndonjë kërkesë për leje ndërtimi nga ana e MASH-it. Nga ana e saj, bashkia e kishte kërkuar këtë objekt për të ndërtuar një bibliotekë për qytetin, por kjo kërkesë iu refuzua pasi Ministria e Ekonomisë gjykoi se një godinë për universitetin ishte më emergjente.
Situata në universitet
Në Universitetin e Durrësit ndjekin studimet në disa degë rreth 3500 studentë nga qytete të ndryshme të vendit. Godina ekzistuese nuk e përballon një numër të tillë studentësh, prandaj është kaluar në mësimin me turne si dhe në zhvillimin e tij edhe gjatë ditëve të shtuna. Vetëm ndërtimi i godinës së re dhe transferimi atje i disa prej degëve që mësohen në këtë institucion, do ta normalizonte situatën. Por deri më sot nuk ka shenja për fillimin e punimeve për realizimin e një projekti të tillë. Por sidoqoftë, një gjë është e sigurt, ish-godina e shpronësuar nga porti do të kthehet detyrimisht në korpus universitar brenda vitit 2009.