Koeficientët, kombinimi që ju bën fitues
Vitin e kaluar, një maturant i Shkollës së Mesme Ekonomike në Tiranë, zgjodhi si lëndë me zgjedhje historinë dhe gjeografinë dhe aplikoi më pas në Fakultetin e Ekonomisë. Si pasojë e këtij qëndrimi, nuk fitoi. Rezultatet tregonin se edhe nëse do të kishte mesatare mbi 9 dhe të gjitha notat mbi 9, nuk do të kishte mundur të hynte.
Kjo mund të bëhet mësim për maturantët e këtij viti, sipas specialistëve. Ajo çka mund të humbet nga një zgjedhje e gabuar, janë nga 300 në 1200 pikë, pra një hapësirë e madhe mundësish. Në të kundërt, një zgjedhje e zgjuar mund të bëjë të fitoni edhe nëse nuk jeni më mirë se të tjerët.
Rastet e shumta të maturantëve me mesatare mbi 7 që nuk u futën dot në shkollë të lartë dhe mbi 50 maturantëve me mesatare nën 5.5 që arritën të vijojnë studimet universitare, duket se e përforcojnë këtë ide.
Për këtë arsye, kur të plotësoni formularin A1 dhe A2 duhet të keni shumë kujdes, sipas specialistëve. Jo vetëm që duhet të zgjidhni lëndët ku e ndieni veten “të fortë”, por edhe ato lëndë që ju japin përparësi, pra një 0.1 më shumë në koeficientët e Maturës.
Këshilla numër një e specialistëve është që të kihet kujdes shkolla nga vjen. Shkolla specifike si ato të mesme Hoteleri-Turizëm, Ekonomike etj. kanë pikët maksimale vetëm në Fakultetin e Ekonomisë. Nëse kandidohet një fakultet tjetër, humbja e menjëhershme është 800 pikë për nota të njëjta me një person që ka koeficientë maksimalë.
Universiteti i Tiranës dhe Politekniku
Edhe këtë vit universitetet kanë preferuar të kenë ndarjen klasike. Pra, fakultetet me profil shoqëror zgjedhin lëndët me profil shoqëror, ndërsa ato shkencore, përzgjodhën lëndët analoge. Në përgjithësi, të gjitha shkollat e larta u janë përmbajtur zgjedhjeve të vitit të kaluar, për sa i përket profilit të tyre. Në këtë mënyrë, fakultetet me profil natyror nuk kanë përzgjedhur lëndë shoqërore dhe anasjelltas. Por veçoria në Maturën Shtetërore 4 ka të bëjë me faktin që ndonëse fakultet kanë përzgjedhur lëndë të profilit të tyre, ato nuk kanë përfshirë të gjitha lëndët që përkojnë me shkencat, të cilat studiohen në këtë fakultet. Kjo do të thotë se shumë shkolla të larta të profilit shoqëror kanë lënë jashtë lëndëve të parapëlqyera me koeficiente 1.3, si rasti i Fakultetit të Shkencave Sociale, ku gjeografia nuk do të jetë lëndë me koeficient maksimal, ndonëse janë të profilit shoqëror.
Biologjia është e padëshiruar në Universitetin Politeknik, duke u bërë një zgjidhje, jo fort e kënaqshme për maturantët, që duan të konkurrojnë në sa më shumë degë. Gjithsesi, zgjidhje ka dhe ajo është e thjeshtë.
Specialistët sugjerojnë që maturantët këtë vit të zgjedhin dy lëndë ndërmjet Anglishtes, Njohurisë për Shoqërinë dhe Njohuri mbi Ekonominë dhe Filozofinë, në mënyrë që të kenë pikë maksimale në të gjitha degët e profilit shoqëror të Universitetit të Tiranës. Nga ana tjetër, ata do të ishin me më shumë përparësi nëse do të kishin zgjedhur Fizikë, Kimi ose Anglisht, në degët me karakter natyror. Rast i veçantë përbën Fakulteti i Ekonomisë, që ka përzgjedhur me koeficientë maksimalë lëndët natyrore, si edhe Anglishten dhe Ekonomi-Filozofinë.
Por, kjo nuk vlen për të gjithë, të paktën në Fakultetin e Mjekësisë dhe në Universitetin Politeknik. Te Mjekësia do të ishte mirë që të konkurronin ata që kanë përfunduar shkollë të mesme të përgjithshme ose natyrore, pasi kanë koeficient 1.4. Ndërsa, në Universitetin Politeknik do të kenë përparësi të dukshme, që përkthehet me qindra pikë më shumë, maturantët e shkollave të mesme të përgjithshme, profili natyror, seksioni dygjuhësh në Korçë dhe seksionet “politeknike” të shkollës “Harri Fullz” në Tiranë. Sakaq, edhe shkollat tekniko-profesionale, në drejtimet që mbulon UPT-ja kanë gjasa të fitojnë, pasi kanë koeficientë 1.3, ndërsa për të tjerët shanset janë të pakta.
Universiteti Bujqësor
Ndërkohë që në Universitetin Politeknik ishte Biologjia e padëshiruara e madhe, Universiteti Bujqësor “nuk sheh dot me sy” Fizikën. Asnjë fakultet nuk i ka dhënë koeficient maksimal kësaj lënde, duke e bërë atë të pafavoritshme për të fituar. Ndërkohë që ky universitet nuk ndjek rrugën e Universitetit të Tiranës, as për sa i përket ekonomisë. Fakulteti i Ekonomisë Bujqësore i jep pikë maksimale vetëm Anglishtes dhe Njohurisë mbi Ekonomi dhe Filozofi, duke i lënë të gjitha lëndët e tjera me koeficient 1. Ndryshimi i fundit ka të bëjë me Fakultetin e Mjekësisë Veterinare, që i jep pikë maksimale vetëm Anglishtes dhe Biologjisë, duke u bërë i vetmi fakultet që “nxjerr jashtë loje” Kiminë.
“Gjithsesi, duhet të bëhen zgjedhje”, – thonë specialistët dhe në këtë rast mbetet në dorë të maturantëve. Ose do të aplikojnë në të gjitha degët e Universitetit Bujqësor dhe fakulteteve me drejtim shkencor të Universitetit të Tiranës, përveç Fakultetit të Mjekësisë Veterinare, duke përzgjedhur kiminë dhe anglishten, ose nuk do të kandidoni në Fakultetin e Shkencave të Natyrës dhe do të përzgjedhin Biologjinë dhe Anglishten.
Megjithatë, sipas specialistëve, maturantët nuk mund të kenë kaq shumë fakultete në mendje për të vijuar studimet, duke e bërë këtë zgjedhje thuajse të paqenë.
Universitetet e rretheve
Në shumicën e universiteteve të rretheve degët janë me kuota të hapura, duke nxjerrë të pavlefshme Maturën Shtetërore dhe koeficientët e saj. Megjithatë, duke qenë se nuk është vendosur ende se cilat do të jenë me kuota të hapura dhe kuota të mbyllura, universitetet kanë përcaktuar koeficientët edhe për këtë vit akademik. Në shumicën e universiteteve, koeficientët janë të ndarë në bazë të profileve, sipas shembullit të universiteteve të kryeqytetit.
Në këtë mënyrë, degët me profil natyror i kanë dhënë të gjitha koeficientë 1.3 vetëm Fizikës dhe Kimisë, ndërsa ato të profilit shoqëror, vetëm Njohurisë për Shoqërinë dhe Anglishtes.
Në rast se keni dëshirë të konkurroni në sa më shumë degë, atëherë ekzistojnë vetëm disa kombinime komplekse. Fakulteti i Ekonomisë, Shkencave Shoqërore, Drejtësisë dhe Gjuhëve të Huaja kanë të përbashkët me koeficientë maksimalë Anglishten dhe grupimin e Njohurive për Ekonominë dhe Filozofinë, për sa u përket shkollave të mesme të përgjithshme.
Ndërkohë për maturantët e tjerë ndarja bëhet edhe më e madhe, pasi Ekonomia ka koeficientë maksimalë në Fakultetin e Ekonomisë dhe Letërsia në fakultetet e tjera, gjithsesi me më pak shanse për të fituar, pasi koeficientët për shkollat e tjera, përveç atyre të përgjithshme, përgjithësisht janë të ulët, me përjashtim degët korrespondente të lëmës së shkollës së mesme. Për më shumë, kategorizimi që është pasqyruar në “standard” me shpërndarjen e koeficientëve sipas degëve, shkakton pengesa të mëdha për maturantët që dëshirojnë të konkurrojnë në sa më shumë degë.
Rroftë Anglishtja!
Nga të gjitha këto diçka është e sigurt: nëse dini anglisht, jepeni atë provim. Anglishtja është më e favorizuara dhe të gjithë ata që dinë mirë “lingua franka”-n e kohës, atëherë duhet ta përzgjedhin për të pasur pikë maksimale
Somario
Maturantët këtë vit duhet të zgjedhin dy lëndë ndërmjet Anglishtes, Njohurisë për Shoqërinë dhe Njohuri mbi Ekonominë dhe Filozofinë, në mënyrë që të kenë pikë maksimale në të gjitha degët e profilit shoqëror ose Kimi dhe Anglisht, në degët me karakter natyror