E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata lë në burg zyrtarët e bashkisë

Të arrestuarit kundërshtojnë provat dhe përgjimet duke i cilësuar si të paligjshme. Prokuroria: Abuzuan me detyrën


DURRËS- Gjykata e Durrësit , pas një seance maratonë ka vendosur që të lërë në burg katër zyrtarët e administratës së Bashkisë së Durrësit të arrestuar dy ditë më parë me akuzën për korrupsion aktiv e pasiv. Seanca gjyqësore ndaj pesë të pandehurve ka filluar rreth orës 09 e 30 minuta dhe ka vijuar deri në orën 14.00. Kjo për shkak se të pandehurit e kësaj çështjeje janë përcjellë në gjykatë nën masa të forta sigurie një e nga një dhe se kanë zgjatur debatet e bëra mes avokatëve dhe prokurorisë për trajtimin e çështjeve që ngriheshin në akt akuzë. Në bangën e të akuzuarve janë vënë një e nga një ish-shefi i policisë bashkiake Rexhep Bulku, kryetarin e njësisë numër 4 Luan Shaba, inspektorin e njësisë numër 4 Lutfi Dervishi, ish-polici bashkiak, Bashkim Maloku si dhe sekseri Fetah Mataj. Trupi gjykues i kryesuar nga Markeljan Koca, ka pranuar kërkesën e prokurorit Arjan Ndoja, duke i lënë në burg deri në përfundimin e hetimeve.
Seanca e verifikimit të kushteve të sigurisë ndaj pesë të pandehurve është zhvilluar me dyer të mbyllura. Akuza është përfaqësuar nga prokurori Arjan Ndoja. Sipas burimeve nga prokuroria e Durrësit mësohet se pesë të arrestuarit akuzohen për shpërdorim detyre si dhe korrupsion pasiv. Prokurori Ndoja ka faktuar se me dokumentet që dispononte prokuroria, personat në fjalë bënin ndere kundrejt pagesës duke abuzuar me detyrën. Arjan Ndoja, bëri me dije provat që disponon prokuroria, si për përgjime telefonike, filmime dhe fotografi të fshehta që implikojnë pesë personat e arrestuar.
Vendimi i gjykatës solli kundërshtimin e avokatëve, të cilët i cilësuan arrestimet si të pabaza dhe të paprovuara, pasi deri tani sipas tyre nuk ekzistojnë prova konkrete, por vetëm dyshime. Avokatët mbrojtës të të pandehurve Gramoz Lika si dhe Qazim Gjoni, kanë debatuar si dhe i kanë kërkuar gjykatës që të mos merren si prova ligjore përgjimet telefonike, pasi sipas tyre ato janë bërë në kundërshtim me ligjet. Por, kërkesa e tyre nuk është marrë parasysh nga trupi gjykues, i cili ka dhënë vendimin e lënies së tyre në burg deri në përfundim të hetimeve. Vetë i arrestuari Rexhep Bulku ka folur duke mos qenë dakord me akuzën e ngritur ndaj tij por edhe me mënyrën se si është arrestuar sikur të kishte qenë ndonjë kriminel i rëndomtë. Ai ka shtuar se policia e ka prangosur duke mos pasur asnjë shenjë ose dokument identifikimi dhe në mënyre tepër brutale, jo si për një ish koleg me përvojë të gjatë pune në polici, por jashtë çdo lloj profesionalizmi.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›