Fushë-Krujë, zihen mes tyre, nusja godet vjehrrën me levë në kokë
Nusja godet vjehrrën dhe e plagos rëndë atë. Policia e shoqëron për në komisariatin e policisë, ndërsa të dëmtuarën drejt spitalit për të marrë ndihmën e parë. Ngjarja ka ndodhur dje në Fushë-Krujë, ku pas një sherri mes tyre, nusja 21-vjeçare, Daniela Menga, ka qëlluar vjehrrën e saj, Nafija Vulaj. Sipas burimeve zyrtare policore, ka shërbyer një zënkë e fortë mes nuses së re 21-vjeçare dhe vjehrrës së saj 57-vjeçare, për të degjeneruar më pas me një konfrontim të fortë fizik. Referuar të njëjtave burime, 21-vjeçarja, e nxehur në sherr e sipër, mësohet se e ka goditur me levë vjehrrën e saj, duke i shkaktuar një gjendje të rëndë shëndetësore. Burimet nga vendngjarja bëjnë të ditur se Daniela Menga është arrestuar menjëherë nga forcat e policisë së qytetit, ndërsa vjehrra e saj është drejtuar për në spital, por gjendja e saj rezulton të jetë e rëndë. Mjekët kanë ndërhyrë menjëherë, por megjithatë, gjendja e saj vazhdon të paraqitet kritike. Ndërkohë që në komisariatin e policisë, 21-vjeçarja i është nënshtruar marrjes në pyetje për të zbardhur shkakun e këtij konfrontimi, nga ku pati një të lënduar rëndë.