E Diel, 1 Nëntor 2026

8 dhjetori Berisha: “Bllokmenët e rinj, në koshin e historisë”

Autori i Lajmit: Redaksia
Mazhoranca qeverisëse ka organizuar dje, ashtu siç kishte paralajmëruar, një miting madhështor në qendër të kryeqytetit. Me mijëra njerëz kanë qenë pjesë e festës për 8 Dhjetorin, Ditën e Demokracisë, të organizuar në sheshin “Skënderbej”. Sheshi është mbuluar me ngjyrën blu të qindra flamujve që valëviteshin në duart e pjesëmarrësve në këtë miting të madh. Ndërsa në afishet e shumta të vendosura thuajse në të gjitha rrugët e Tiranës, është shkruar se “8 Dhjetori është Dita e Rinisë, Dita e Pluralizmit”. “Ëndrra që ne bëjmë realitet" ishte slogani që përmbante aktiviteti i organizuar në këtë shesh, duke paraqitur edhe pamje që treguan hapat e Shqipërisë drejt Evropës dhe demokracisë. Ndryshe nga herët e tjera, ka rënë në sy numri i paktë i fjalimeve të përfaqësuesve të qeverisë, ndërsa mitingu është shoqëruar nga ritmet e muzikës shqiptare dhe asaj të huaj. Gjatë fjalës së tij përshëndetëse me këtë rast, kryeministri Sali Berisha iu referua situatës aktuale politike, duke thënë se mbeturinat e së shkuarës, bllokmenët e rinj, nuk mund ta pengojnë Shqipërinë në rrugën e saj drejt së ardhmes. Ai tha se së shpejti Shqipëria do të shembë kufijtë, ndërsa qytetarët do të lëvizin pa viza në çdo vend të Evropës. Berisha nderoi studentët e dhjetorit, por dhe Azem Hajdarin, që e quajti tribun të demokracisë.

Festimet

“Jemi mbledhur sot të festojmë së bashku 8 Dhjetorin, ditëlindjen e lirive dhe të drejtave të mohuara, dinjitetit njerëzor të munguar, për ne, për mbarë shqiptarët që do të vinin në dhjetorin e vitit 90, si qeniet njerëzore më të shtypura, më të mjera, më të izoluarat, më të shkreta të kontinentit”, - pohoi Berisha në nisje të fjalës së tij në mitingun e organizuar me rastin e 8 Dhjetorit. Sipas tij, më 8 dhjetor të vitit 90 Shqipëria e bllokmenëve mizorë numëronte burgjeve, të burgosur, të internuar, të pushkatuar më shumë se të gjitha vendet ish-komuniste satelite të Bashkimit Sovjetik të marra së bashku, ndërkohë që studentët e Universitetit të Tiranës me në krye tribunin e lirisë, Azem Hajdari, me një guxim legjendar, me kurajën mbinjerëzore do të përballeshin në sheshet dhe rrugët e kryeqytetit të vendit me diktaturën më mizore të Evropës. “Nder përjetë Azem Hajdarit, studentëve dhe studenteve liberatore, engjëjve të demokracisë, djemve dhe vajzave, burrave dhe grave që shembën 19 vite më parë Murin e Berlinit në Tiranë, shpartalluan bllokun bunker dhe sollën lirinë për shqiptarët. Për ne, rinia dhe liria janë dhe do të jenë përjetë një dhe të pandarë. Azem, ti je gjallë!”, - tha ai. Berisha shtoi se 8 Dhjetori për shqiptarët është dita e rrëzimit të Murit të Berlinit dhe njëkohësisht dita e së ardhmes dhe shpresës së humbur. “Sot ne jemi të lirë, më të lirë se kurrë në ekzistencën tonë. Sot ne jemi më shumë se asnjëherë më parë. Hedhurinat e së shkuarës, të bllokmenëve të rinj, sdo mund të ndalin kurrë vrapin tonë drejt së ardhmes që meritojmë. Thirrja jonë vëllazërore në sheshin “Skënderbej” për çdo shqiptar është: Eja me ne të vrapojmë drejt të ardhmes që meritojmë”, - tha ai. Më 8 dhjetor, pohoi kreu i Qeverisë më tej, u hapën njëherë e përgjithmonë dyert e mbyllura të Evropës, Shqipëria nisi rrugën e saj drejt një Shqipërie zonjë, siç e kanë dashur dhe e duan të gjithë shqiptarët Evropën. Në kuadër të arritjeve Berisha përmendi anëtarësimin në NATO si dhe pranimin e kërkesës për tu bërë pjesë e Bashkimit Evropian.

Prifti: “Më 8 dhjetor, demokratë e socialistë janë bashkë”

Në festën e realizuar me rastin e Ditës Kombëtare të Rinisë, në përkujtim të 8 dhjetorit 1990, ka marrë pjesë edhe deputeti i Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, Dritan Prifti. Deputeti i LSI-së e ka cilësuar këtë ngjarje si festën më të rëndësishme të shqiptarëve pas festës së Pavarësisë dhe Çlirimit. “8 dhjetori ditë e jashtëzakonshme për shqiptarët. Pas festës së Pavarësisë dhe Çlirimit, kjo është festa më e madhe”,- u shpreh Prifti. Prifti theksoi se edhe në këtë ditë të shënuar demokratët e socialistët janë të bashkuar, për ta çuar Shqipërinë përpara. Pa këtë festë nuk do të kishim Shqipëri në NATO. Nuk do të kishim zhvillimin që ka marrë Shqipëria në këto vite. Demokratë e socialistë janë bashkuar sot për ta çuar Shqipërinë më përpara”, - përfundon Prifti.

PD: “Festimi i 8 Dhjetorit, më madhështori gjatë 19 viteve të fundit”

Partia Demokratike ka reaguar në lidhje me mitingun e organizuar në sheshin "Skënderbej" me rastin e Ditës së Rinisë dhe të pluralizmit në Shqipëri, duke theksuar se mijëra persona kanë qenë të pranishëm. Sipas PD-së, ky ka qenë mitingu më madhështor i organizuar në këtë shesh gjatë këtyre 19 viteve pluralizëm. Pasditen e sotme sheshi "Skënderbej" u vesh në blu nga flamujt dhe ndriçimi spektakolar. PD-ja me aleatët e saj dhe qytetarët përkujtuan me një miting festiv ditën e 8 Dhjetorit të lëvizjes studentore 1990.

Urdhri
Mitingu i 8 Dhjetorit, administrata dhe nxënësit në shesh

Administrata dhe shkollat në shesh për mitingun e organizuar nga mazhoranca qeverisëse me rastin e 8 Dhjetorit, Ditës së Demokracisë. Urdhri i pashkruar është zbatuar pothuajse në të gjitha zyrat e administratës shtetërore. Edhe më konkret ka qenë ky urdhër për shkollat, ku mësuesit janë organizuar për të marrë pjesë në miting. Në disa shkolla orët e mësimit janë zhvilluar të shkurtuara, me qëllim që nxënësit dhe mësuesit të liheshin të lirë për tiu bashkuar asaj që qeveria e ka quajtur festën e të gjithë shqiptarëve. Në shkollën e ndërtimit “Karl Gega”, dera është mbyllur që në orët e para të mëngjesit, ndërsa banorët e zonës thanë se nxënësit janë larguar që prej orës 9:30 të mëngjesit. Drejtori i shkollës ka deklaruar se është bërë mësim deri në orën 11:00, ndërsa sipas tij, janë bërë gjithsej 5 orë të shkurtuara e më pas nxënësit, së bashku me stafin pedagogjik, kanë shkuar për të festuar. E njëjta gjë ka ndodhur edhe në rrethe ku orët e mësimit janë shkurtuar edhe më tepër, në mënyrë që mësuesit të mund të vinin në mënyrë të organizuar në kryeqytet. Ky fakt është pohuar nga vetë nxënësit në këto qytete. Mësuesit jo vetëm që ishin të detyruar të merrnin pjesë në mitingun e organizuar nga demokratët, por kishin të përcaktuar edhe vendin ku do të qëndronin. Kjo lehtësonte më shumë punën për të verifikuar, nëse mësuesit i ishin bindur urdhrit të drejtorit të shkollës. Përdorimi i nxënësve për mitingje është shndërruar në një dukuri të zakonshme në Shqipëri. Në zgjedhjet parlamentare të 28 Qershorit, ndaj këtij fenomeni reagoi edhe Avokati i Popullit.

Ky lajm është publikuar: 09/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›