E Shtunë, 31 Tetor 2026

Refuzoi fejesën, plumb kokës së dashurës

Plagos rëndë edhe nënën e vajzës që “donte”. Policia e Skraparit rrethon zonën për ta kapur

Tenton të vrasë të dashurën dhe nënën e saj, sepse i refuzuan kërkesën për fejesë. Ngjarja e rëndë ndodhi dje paradite në fshatin Spatharë të Skraparit. Vajza 18 vjeçe rrezikon seriozisht jetën, pasi një plumb e ka marrë në fytyrë, ndërsa nëna e saj ka dalë nga rreziku.

Eglantina Sevdari dhe nëna e saj, Liria 50 vjeçe, u plagosën në pragun e shtëpisë së tyre, pasi u qëlluan me armë nga 25-vjeçari Besim Bakiasi, banor i qytetit të Sarandës.

Nga hetimet e para në vendin e ngjarjes mësohet se gjithçka ka ndodhur për motive të dobëta. Familja e djalit disa ditë më parë kishte kërkuar dorën e 18-vjeçares Sevdari. Vajza dhe djali, i larguar nga fshati dy vjet më parë, mësohet se kishin pasur një lidhje mes tyre, të cilën e kishin mbajtur gjallë edhe gjatë kohës që familja e Besim Bakiasit ishte shpërngulur në Sarandë. Por, kërkesa e familjes së vajzës për fejesë është refuzuar, pasi prindërit e kishin fejuar vajzën me një djalë tjetër të fshatit.

Për këtë arsye, Besim Bakiasi ka udhëtuar dje nga Saranda drejt fshatit të lindjes. I armatosur me një kallashnikov, që dyshohet se e fshihte në shtëpinë e vjetër në fshat, djali është paraqitur në banesën e vajzës dhe sapo është përballur me të i ka drejtuar armën duke e qëlluar në fytyrë. Më pas ai ka qëlluar dhe ndaj nënës së vajzës, e cila ka dalë në mbrojtje të së bijës. Pasi i ka lënë të gjakosura të dyja femrat, Besim Bakiasi është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.

Të plagosurat janë dërguar me një makinë të rastit drejt spitalit të çorovodës, por kanë marrë aty vetëm ndihmën e parë, pasi mjekët e kanë vlerësuar gjendjen të rëndë dhe kanë kërkuar transportimin e menjëhershëm të pacienteve drejt Spitalit Ushtarak të Tiranës. Mjekët e kanë vlerësuar të pamundur ndërhyrjen në plagën delikate në fytyrën e vajzës, por edhe plaga e nënës së saj në shpatull nuk ka qenë e lehtë për spitalin modest të çorovodës. Për këtë arsye nga Tirana janë dërguar dy helikopterë që kanë marrë të plagosurat.

Nga ana tjetër, policia ka nisur kërkimin e autorit të krimit, por kur forcat policore mbërritën në fshatin e thellë të Skraparit, 25-vjeçari që e njeh mirë zonën kishte arritur të largohej.

Shefi i Komisariatit të Policisë së Skraparit, Vladimir Zoga, tha se për shkak të gjendjes së rënduar të rrugës dhe terrenit malor, arrestimi i të kërkuarit është bërë i vështirë, megjithëse policia ka bllokuar rrugët hyrëse dhe dalëse të fshatit Spatharë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›