E Shtunë, 31 Tetor 2026

8 ore ne lageshtire te mbyllen kopshtet dhe cerdhet

Nga inspektimet e kryera në mbi 70 kopshte dhe çerdhe, në Tiranë, 14 përqind e tyre rezultojnë me shumë probleme. Lagështia dhe amortizimi i ambienteve, ku të vegjlit kalojnë më tepër se 8 orë në ditë janë më shqetësueset. Ato u konstatuan gjatë montorimit nga inspektoret e Drejtorisë së Higjenës në kryeqytet.

“Ne nuk jemi mjaftuar vetëm me konstatimin me sy të lagështirës por ne kemi bërë matjet për lagështirën, temperaturën dhe qarkullimin e rrymave të ajërit.  Disa kanë rezultuar me nivel të lartë lagështire, që tregon se impakti i kësaj lagështire në shëndetin e fëmijëve është i madh dhe i dëmshëm”-thotë Besa Shehu, Specialiste e higjenës, DSHPT.

Shehu thekson se nëse pushteti vendor dhe Drejtoria Arsimore nuk merr masa deri në shtator, do të propozohet mbyllja e këtyre kopsheve dhe çerdheve.

“Do të arrijmë drejt mbylljes së këtyre institucioneve nqs nuk merren masa gjatë stinës së verës , kur numri i fëmijëve pakësohet dhe kanë mundësi për riparim komplet të institucioneve. Të gjitha kopshtet dhe çerdhet janë inspektuar në Tiranë dhe tani po vazhdojmë me komunat”-thekson ajo.

Monitorimi i Drejtorisë së Shëndetit Publik, Tiranë  u shtri gjatë muajit prill dhe maj. Në raport theksohet se këto kopshte dhe çerdhe problematike janë të shpërndara në të gjithë kryeqytetin.

Julja Bardhushi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›