E Hënë, 2 Nëntor 2026

80 biznesmenë të Serbi-Mali Zi zbarkojnë për investime në Shqipëri

10/02/2005  Presidenti Moisiu takon ministrin e Bashkëpunimit Ekonomik me Jashtë, Predrag Ivanoviç

Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, priti dje, në një takim ministrin e Bashkëpunimit Ekonomik me Jashtë të Unionit Serbi–Mal i Zi, Predrag Ivanoviç. Biseda e zhvilluar u përqëndrua në rëndësinë që ka zhvillimi i bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve për vetë ato e rajonin dhe procesin integrues në strukturat evropiane. Shkëmbimi i vizitave në nivele zyrtare në këtë drejtim, bashkëpunimi ekonomik i deritanishëm dhe rritja e kontakteve mes biznesmenëve janë garanci për zhvillim të mëtejshëm mes palëve dhe luajnë rol dhe në ecurinë e marrëdhënieve në fusha të tjera. Presidenti Moisiu vlerësoi faktin që mes dy vendeve ka pasur rritje në zhvillimin e marrëdhënieve ekonomike dhe theksoi se në kuadër të sfidave të integrimit në strukturat evropiane e euroatlantike, drejt të cilave aspirojnë të dy vendet, kërkohet një vështrim dhe vlerësim realist për zgjidhjen e problemeve aktuale në interes të së ardhmes së qytetarëve të tyre. Nga ana e tij, ministri i Bashkëpunimit Ekonomik me Jashtë i Unionit Serbi-Mali i Zi, nënvizoi vëmendjen që i kushtohet në politikën e qeverisë së tij zhvillimit të marrëdhënieve në të gjitha fushat me vendin tonë, që, sipas tij, aktualisht lehtësohet nga orientimi evropian e euroatlantik i tyre. Në përbërje të delegacionit të tij janë tetëdhjetë biznesmenë, gjë që tregon, sikurse u shpreh ai, “interesin e vendit të tij për zhvillimin e bashkëpunimit ekonomik”. Presidenti Moisiu, duke shprehur besimin në zhvillimin e vrullshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve iu lut z.Ivanoviç t’i transmetojë Presidentit të Unionit Serbi-Mal i Zi përshëndetjet miqësore.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›