E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli: “Kuvendi voton javën e ardhshme Protokollin e Anëtarësimit”

Autori i Lajmit: red.
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, informoi dje median mbi fazën përmbyllëse të procesit të ratifikimit të Protokollit të Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Ajo pohoi se deri tani e kanë mbyllur këtë ratifikim 23 vende anëtare të NATO-s dhe pritet që ditën e martë këtë ratifikim ta bëjë senati i Holandës dhe të martën pasdite, kam informacion se do ta votojë edhe Greqia. Ditën e premte ky ratifikim do të bëhet edhe nga Portugalia. Topalli shtoi se si Kryetare e Parlamentit, ndihej krenare që homologë, por dhe kolegë deputetë të këtyre vendeve, e kanë vendosur në axhendën nacionale këtë ratifikim bashkë me prioritetet e tjera nacionale që ata kanë. Ajo vlerësoi në mënyrë të veçantë mbështjetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës si edhe të vendeve të tjera anëtare të Aleancës. “Besoj se javën e ardhshme do të fusim në procedurë nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje midis Shqipërisë dhe Aleancës, sepse më parë duhet të përmbylleshin votimet në senatet dhe parlamentet e 26 vendeve anëtare. Parlamenti i Shqipërisë javën e ardhshme fillon vetë procedurën për të votuar këtë Protokoll të Anëtarësimit në NATO dhe kjo do të jetë një ditë shumë e madhe për të gjithë shqiptarët”, - tha Topalli. Po dje, ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, ka pritur ekipin e Konsultimeve të Shtabit Ndërkombëtar të NATO-s për vlerësimin e raport/progresit të Forcave të Armatosura Shqiptare në kuadër të procesit të antarësimit të vendit tonë në NATO. Oketa theksoi angazhimin e plotë të institucioneve shtetërore në mbështetje të këtij procesi, përmes miratimit të kuadrit të plotë ligjor. Ministri Oketa vlerësoi mbështetjen e NATO-s përmes konsultimeve si domosdoshmëri për njohjen dhe kordinimin e hapave të mëtejshëm për integrimin e plotë të strukturave përkatëse. Ndërsa ekipi i NATO-s vlerësoi progresin e bërë për planifikimin e mbrojtjes e të forcës, të cilat janë në bazë të përmbushjes së detyrimeve dhe angazhimeve në kuadër të anëtarësimit të plotë në Aleancë.
Ky lajm është publikuar: 14/02/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›