E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Kapitull i ri në diplomacinë amerikane”

Gjatë një fjalimi në Departamentin amerikan të Shtetit, Obama theksoi se “diplomacia amerikane do të promovojë reforma në drejtim të demokracisë të gjithë rajonin”.

Analistët theksojnë se ky është fjalimi i parë gjithëpërfshirës i Presidentit Obama lidhur me kryengritjet në botën arabe.

Obama theksoi se prioriteti i SHBA-ve në Afrikën Veriore dhe në Lindjen e Mesme do të jetë promovimi i reformave demokratike dhe kundërshtimi i dhunës e represionit.

“Ne përballemi me një mundësi historike. Kemi mundësinë të tregojmë se vlerat amerikane të dinjitetit të një shitësi rruge në Tunizi kanë më tepër fuqi se vlerat e papërpunuara të një diktatori”.

Presidenti amerikan foli edhe për konfliktin izraelito-palestinez. “Në fund të fundit, gjithçka varet nga izraelitët dhe palestinezët. Nuk mund t’u imponohet paqja, ashtu siç shtyerjet e pafundme nuk mund të zgjidhin problemet. Si Amerika ashtu dhe komuniteti ndërkombëtar mbështesin atë çka tashmë dihet: një marrëveshje paqeje që përfshin dy shtete për dy popuj”.

Presidenti Obama theksoi se “kufijtë e Izraelit dhe Palestinës duhet të bazohen në hartat e vitit 1967 me ndryshimet e rëna dakord reciprokisht”.

“Populli palestinez ka të drejtë të vetëqeveriset, dhe të arrijë potencialin e tij në një shtet sovran. Sa i përket sigurisë, çdo shtet ka të drejtë të vetëmbrohet. Edhe Izraeli e ka këtë të drejtë”, theksoi Obama një ditë para mbërritjes në Uashington të kryeministrit izraelit, Benjamin Netanjahu.

Obama vijoi më tej duke mbrojtur sanksionet ndaj Presidentit të Sirisë, Bashar Al-Asad dhe shpalli paketat e ndihmave për Egjiptin dhe Tunizinë, shtete që po kryejnë reforma për demokratizimin e vendit.

/Start/Fatjon Prroni/

                                                                                             2011-05-19 19:12
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›