“Na kanë hequr të drejtën, të ushtrojmë profesionin ndershmërisht”
Autori i Lajmit: Denisa KonaAlina Karaj, mjeke- pediatre në ambulancën nr.10, me përvojë të gjatë 30- vjeçare, e cila ka punuar edhe në maternitet, spital e ambulancë, tregon paradoksin mes moralit profesional dhe kushteve të caktuara nga ISKSH, mes të cilave vërtitet mjeku i lagjjes.
A jepni ju shpesh ilaçe me rimbursim për bebet? Pra, a ka shumë të tilla? Këtë pyetje ia drejtuam asaj morëm këtë përgjigje:“As që dua ta shikoj listën e rimbursimeve që na ka vënë ISKSH. Unë jam mjeke dhe dua ta bëj punën sa më mirë me profesionalizëm. Do t i jap pacientit, mjekimin që e gjykoj vetë se i duhet, po do t i jap atij më të mirin. Dy vjet përpara u kritikova se kisha rritur rimbursimet, por për fat të keq, ai që përpiqet t i shërbjejë më mirë dhe me ndërgjegjje popullit, ai kritikohet më tepër. Ne nuk jemi ekonomistë, që të mbajmë bilancet dhe kur vjen fundi i muajit, të mbajmë dorën dhe të themi: “Dale se e kalova kuotën”. Të punosh kështu, nuk punon me ndërgjegjje”.
Rimbursimi, në listë ilaçet surrogato
E pohuan farmacistët, e pohuan mjekët e përgjithshëm dhe mjekët e fëmijëve, e hodhi poshtë Ministria e Shëndetësisë, ndërsa ISKSH tha, se me ligj fiton firma që ka çmimin më të lirë dhe se në listë janë 191 barna, alternativë e vetme. Pra, rimbursohet alternativa më e lirë. A mund të jetë alternativa e lirë një alternativë e mirë? Ira Armiri, në drejtorinë farmaceutike në Ministri thotë: “Duhet përmbysur koncepti, se bari më i shtrenjtë është dhe më i miri”. Por ja se si kundërpërgjigjen mjekët: “Ilaçet që rimbursohen, nuk janë antibiotikët më të mirë, por më të lirët si ampicilina, amoksicilina që kushtojnë nga 1 euro kutia. Kaq kushton edhe receta. Por çfarë ilaçesh janë këto, që dalin me çmimin 1 euro? Imagjinoni se sa është blerë ai ilaç dhe me ç kosto ka dalë! Unë nuk ua rekomandoj pacientëve këto ilaçe”, thotë mjekja Alina Karaj. Lista është bërë më keq, me ilaçe surrogato. Ilaçe të mira janë pak” thonë njëzëri mjeket e ambulancës 10. Ndërkohë, mjekët e përgjithshëm pohojnë se, po japin nga një ilaç për recetë. Për 5 ilaçe, qytetari po paguan 500 lekë për recetat, pasi nuk të lejon ISKSH t ia futësh barnat në një recetë.
Për anemitë dhe ftohjet, nuk kanë barna në listë
Edhe pse medikamentet e bebeve deri në 1 vjeç quhen falas, praktika e pagesës së recetës e bën fiktiv këtë rregull. P.sh. Oleviti (vitamina A+D) për kockat, që kushton 2600 lekë të vjetra pa recetë, edhe pse rimbursohet, prapë nuk është falas, pasi 1000 lekë shkojnë për recetën. Por barna të listës si Oleviti janë shumë- pak. Mjekët pohojnë se gjatë një dite, mund të mos japin asnjë recetë me rimbursim, pra asnjë recetë të kuqe ose të bardhë (gjysmë të rimbursueshme), por nga ato të zakonshmet. “Nga 5 receta ndodh që asnjë nuk lëshoj me rimbursim,- shprehet mjekja Tatjana Nelaj. Ato tregojnë se mungojnë ilaçet për aneminë, që janë shumë të nevojshme si hekuri -shurup me emrat intrafer, feritinol, legofer, pediafer etj. Ilaçi i vetëm që përmban lista, është për fëmijë më të rritur dhe që i mbyt bebet. Gjithashtu, kalciumet në formë shurupi nuk gjenden në listë dhe, duke përdorur shprehjen e një mjekeje, konsiderohen paradoksalisht si “kozmetikë”. Duke vazhduar me vërejtjet e librit të barnave, pediatret tregojnë se sëmundjet e traktit respiraror që kapin shumicën e fëmijëve, duhet të pasqyroheshin më shumë në listë. Barnat për kollën dhe për temperaturën janë ndër më të përdorshmet dhe duhet të rimbursohen për to, barna më të mira. “Familjarët më ankohen dhe më thonë: “Pse nuk rimbursohen edhe këto?” U thashë: “Shkoni ankohuni në Ministri”, tregon mjekja Alina Karaj.
Ky lajm është publikuar: 19/10/2007