OBSH: Në Shqipëri, vdekshmëria foshnjore, më e larta në Evropë
Autori i Lajmit: Denisa KonaNdonëse burimet e të dhënave zyrtare tregojnë për një përmirësim inkurajues të vdekshmërisë foshnjore gjatë dhjetëvjeçarëve të fundit, përqindjet e vdekshmërisë foshnjore në Shqipëri vazhdojnë të mbeten ende të larta. Shifrat zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë, në bazë të raporteve të gjendjes civile, tregojnë shifra shumë më të ulta të vdekshmërisë, sesa raportet e organizmave ndërkombëtare. Të dhënat e Treguesve të Zhvillimit Botëror dhe të dhënat e OBSH-së, tregojnë nivele paksa më të larta, edhe duke u mbështetur te statistikat zyrtare. Ndërkohë që, burime të tjera përdorin shifra shumë më të larta të vdekshmërisë foshnjore. Për shembull, vëzhgimi i grupeve me tregues të shumëfishtë, që bëri UNICEF, vlerësoi se vdekshmëria foshnjore ishte 28 për 1.000 lindje të gjalla, pra, 75% më e lartë se përqindja zyrtare. Duke përdorur një model të ngjashëm, vlerësimet e OBSH-së tregojnë një përqindje të vdekshmërisë foshnjore prej 23 për 1.000 lindje të gjalla në një 5-vjeçar, gati 50% më e lartë se përqindja që ka raportuar qeveria. Gjithashtu, Vëzhgimi për Shëndetin Riprodhues llogariste 4 vjet më parë, një përqindje të vdekshmërisë foshnjore prej 26.2 për 1.000 për një periudhë 5-vjeçare. Duke pasur parasysh vështirësitë e njohura të raportimit, veçanërisht në zonat më të thella, ka gjasa që shifrat zyrtare të paraqesin një nënvlerësim të konsiderueshëm. Mbështetur në përllogaritjet e OBSH-së, Shqipëria ka përqindjen më të lartë të vdekshmërisë foshnjore në Rajonin e Evropës Juglindore dhe njërën nga më të lartat në Rajonin e Evropës. Përqindjet e vdekshmërisë foshnjore dhe të fëmijëve krahasohen me mesataren e vendeve me të ardhura mesatare të ulta, që e vendosin Shqipërinë në nivel të ngjashëm me Kolumbinë dhe Tailandën. Shifrat e vdekshmërisë nën pesë vjeç shkojnë nga 18 në 33 për 1.000 lindje të gjalla, në varësi të burimit.
BOX
ISHP
40% e vdekjeve foshnjore, gjatë muajit të parë
Rreth 40% e vdekjeve foshnjore ndodhin gjatë muajit të parë të jetës dhe një e katërta ndodhin gjatë javës së parë. Këto shifra tregojnë se ka nevojë t i jepet përparësi më e madhe kujdesit para lindjes dhe ndjekjes pas lindjes gjatë javëve të para të jetës. Analiza e të dhënave për vdekshmërinë foshnjore të Institutit të Shëndetit Publik (ISHP), tregon se vdekjet e hershme të porsalindurve (0-6 ditë) përbënin rreth një të katërtën e gjithë vdekjeve të foshnjeve, ndërsa 60% ndodhnin mes muajit të dytë dhe vitit të parë të jetës. Sondazhi për Shëndetin Riprodhues konstatoi të njëjtat rezultate. Nuk është për t u habitur që studimi i Institutit të Shëndetit Publik konstatoi se niveli i shkollimit të nënës ishte një parathënës i rëndësishëm i vdekshmërisë foshnjore, siç ishin cilësia e banesës, prania e një babai duhanpirës, numri i vizitave dhe operacionet cesariane. U konstatua se gjinia e fëmijës dhe rendi i lindjes nuk ishin përcaktues të rëndësishëm për vdekshmërinë foshnjore.
Ky lajm është publikuar: 19/10/2007