E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkëjetesa në konvikte, e parakohshme për shoqërinë patriarkale

Autori i Lajmit: Denisa KonaKa vite që flitet për përmirësimin e kushteve në Qytetin Studenti, megjithëse prej 15 vjetësh nuk ka asnjë godinë shtesë. Qyteti Studenti ka mbetur brenda të njëjtëve kufij, i pazgjeruar. Ndërkohë, në kontrast me këtë gjendje statike, numri i studentëve vjen e shtohet vit pas viti, gjë që do të thotë “mbipopullim”. Dhe mbipopullimi nga ana tjetër, përkthehet jo vetëm në mungesë komoditeti, jo vetëm vështirësi për të studiuar, por edhe çoroditje më e madhe, ekspozim ndaj më tepër modeleve të tipave dhe rretheve shoqërore, të cilat duhen përzgjedhur me maturinë, që zakonisht i mungon sidomos studentëve të viteve të para. Se çfarë ndodh me psikologjinë e studentit të vitit të parë dhe për vështirësitë e tij për t u orientuar në jetën e re të porsafilluar, “BALLKAN” i mori këtë intervistë psikologut Prof. Edmond Dragoti.

-Mbipopullimi i Qytetit Studenti tashmë e ka trefishuar këtë qytezë, ndërkohë që ka mbetur po ai numri i godinave. Si ka ndikuar mbipopullimi i dhomave të konvikteve në përgatitjen e studentëve?
Mbipopullimi në çdo grup dhe situatë është një ngarkesë dhe presion i jashtë zakonshëm, që i bëhet cilësisë dhe nivelit të përfitimit në shkollë. Mbipopullimi në konvikte është një presion që bëhet në cilësinë e jetës së studentëve, pakësimin ose pengimin e tyre në kohën e lirë, dhe sidomos për të gjetur mundësinë e përgatitjes në kohën e duhur.

-Bashkë me rritjen e numrit të studentëve është rritur edhe gama e kontigjenteve të të rinjve, pra ka një përshkallëzim më të madh të kategorive social-ekonomike. Si ndikon bashkëjetesa mes të rinjve, që përfaqësojnë thuajse të gjthë piramidën sociale të shoqërisë, që nga huliganët e deri te elementet e para të elitës së ardhshme të vendit?
Nga ky këndshikimi, struktura e studentëve në konvikte ka qenë gjthnjë e shtresave dhe niveleve të ndryshme, dhe me gjeografi nga të gjitha rrethet. Por më parë, niveli i jetesës ka qenë pak a shumë i barabartë për shumicën e shtresave, nuk kishte nivele të pasurish dhe të varfërish. Por mendoj se niveli i përgatitjes nuk është i ndikuar nga këto prurje të larmishsme të rinjsh. Shtresat që kanë pasur më shumë nevojë, janë përgatitur më shumë. Edhe sot, shtresat që kanë më shumë nevojë, janë shtresat konviktore, janë ato që tregojnë më tepër interes për studimin. Fëmijët e familjeve që ndihen të mbështetur në jetë nuk ndiejnë nevojë për të studiuar, studiojnë më pak se konviktorët, edhe pse këta të fundit mund të kenë ardhur nga shkolla që kanë pasur nivel më të dobët.

-Vajzat e vitit të parë, të thirrura “vitpariste”, janë më në fokus të djemve dhe më të shigjetuara prej tyre, madje që në ditët dhe javët e para të semestrit të parë. A duhet ta dinë prindërit, se ato do të gjenden përpara një fluksi kërkesash seksuale dhe t i përgatisin si ta “presin” këtë lumë ftesash?
Të gjithë studentët e vitit të parë ndiejnë nevojën dhe vështirësinë e përshtatjes me jetën studentore, qoftë në fakultete e qoftë dhe në konvikt. Kjo e bën të domosdoshme praninë e prindërve. Pastaj, çështja se si do të orientohen në jetën private dhe si do të reagojnë ndaj ngacmimeve, varet se çfarë raportesh kanë pasur në familje, nga kultura dhe nga raportet shoqërore dhe dashurore në shkollë të mesme. Dhe nuk mendoj se është shkolla e lartë koha e fillimit të marrëdhënieve seksuale, por është shkolla e mesme.

-Por shkolla e lartë është koha e masivizimit të marrëdhënieve seksuale. Pra, a është ende i nevojshëm instruksioni prindëror?
Natyrisht. Prindi e orienton fëmijën edhe nga distanca, duke parë ecurinë në mësime dhe duke u treguar aktiv në interesin e tij për shoqërinë e fëmijës. Pra, edhe tërthorazi ka mundësi të verifikojë, se sa i orientuar është fëmija dhe sa e ka neglizhuar shkollën. Viti i parë është përcaktues për të ardhmen e studentit. Nëse studenti i braktis mësimet dhe i kushtohet suksesit të vet në shoqëri, suksesit si femër a si mashkull, kjo e bën që të humbasë përgjithmonë ambicien për shkollën dhe të dështojë.

-Çfarë gjurme lë në formimin e tyre, në jetën emocionale dhe sociale, shkëputja e parë nga familja, pra fillimi i një jete të re?
Pavarësia për marrjen e vendimeve, krijon vështirësi edhe në përballimin e situatave. Duke qenë përballë një kohe më të madhe të pavarur, duke qenë përballë vështirësive që krijon liria e të qenit vetëm, dhe duke mos pasur as përvojën e menaxhimit të kohës, studenti e ka gjithnjë e më të vështirë të përballojë një situatë të re. Kështu që është shumë e rëndësishme, që raportet e familjes duhet të jenë, të vazhdojnë të ruhen edhe kur fëmija largohet nga shtëpia.

-Menaxhimi i kohës së lirë, marrja në dorë e frenave të jetës së tyre, është e mezipritur nga të rinjtë. Ju rezulton juve si psikolog, se dinë ta përdorin 18-vjeçarët lirinë e tyre?
Jo, e kanë të vështirë, sidomos studentët e vitit të parë. Jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë botën, për studentët e vitit të parë, organizimi i jetës dhe kohës është i vështirë. Pavarësisht se 18 vjeç është një moshë që ka pjekuri sociale të mjaftueshme, duhet të kalojnë muaj të tërë, që i riu të arrijë të krijojë përvojën për të organizuar jetën e tij, të peshojë siç duhet kohën për interesat e ndryshme dhe studimin.

-Çfarë konstatoni: A zë vendin e nevojshëm, parësor në jetën e një studenti mësimi, apo është kthyer argëtimi në rolin parësor?
Studimi në përgjithësi zë shumë- pak ose aspak kohë. Të rinjtë studentë të vitit të parë, menaxhojnë jetën shoqërore, më tepër sesa arsimimin e tyre. Në përgjithësi, lexojnë shumë pak. Kjo vjen, ngaqë ka humbur interesi për librin, sepse janë shtuar rrugët e shkurtra të përfitimit ose ndërhyrjet . Ka rënë cilësia e shkollës. Tashmë, arsimimi është bërë pjesë e ekonomisë së tregut dhe nuk është më një vlerë intelektuale e mirëfilltë. Interesi i opininionit shoqëror për pjesën ideale të jetës, pjesën akademike të saj, është zëvendësuar me nevoja rutinë, siç është gjetja e një pune për të përballuar nevojat ekonomike, për t iu përgjigjur kërkesave imediate për strehim, veshje etj.

-Duke lënë mënjanë kushtet, komfortin, ç është më mirë, që një student të jetojë në Qytetin Studenti, -një qendër tërësisht rinore, apo të jetojë me qera, në mes të një qyteti, ku ka popullsi të përzier dhe nga të gjitha moshat?
Procesi i edukimit dhe i formimit në këtë moshë kërkon patjetër, që jeta shoqërore të bëhet në një mjedis të përbashkët, në një mjedis që ofron kushte dhe lehtësi të domosdoshme për studimin, siç është Qyteti Studenti. Kjo krijon shoqërinë e studentëve, krijon mundësinë për të këmbyer mendime, për të ndarë nevojat dhe problemet e përbashkëta, pra, ka gjithnjë më shumë përfitime. Krijon gjithashtu edhe përvojën e bashkëjetesës. Shoqëria e moshatarëve krijon më tepër shanse për të përfituar.

-Dihet që shumcia e studentëve kanë njohje apo lidhje dashurie, disa prej tyre edhe të qëndrueshme. Duke e njohur këtë realitet, e gjykoni si psikolog, se është më mirë që këto lidhje të fshehta të vazhdojnë t i mbajnë duke u ekspozuar rrugëve dhe t i realizojnë në ambiente të rastit, apo të ketë një godinë të përzier për çiftet që duan të bashkëjetojnë?
Në shoqëritë patriarkale ka një dallim tepër strikt të banesave për femra dhe të banesave për meshkuj. Kurse në shoqëritë demokratike, ashtu siç bëhet jeta në mjedise të tjera shoqërore si kafene, edhe godinat mund të mos jenë përfundimisht të ndara, sepse ka një nivel diçka më të lartë edhe të pjekurisë shoqërore të kësaj moshe. Por kjo varet shumë edhe nga referencat personale te secilit, sepse mundësinë për të abuzuar ose për të përfituar, nuk ta ofron vetëm konvikti. Ato mundësi mund t i gjesh edhe jashtë tij.

-A do ta përligjnit opinionin prindëror, që është e pritshme të jetë jo hezitues, por kundërshtues i bashkëjetesës në Qytetin Studenti?
Ka një vështirësi, se prindërit duke mos qenë afër fëmijëve të tyre, por nëpër rrethe, janë tepër të ndieshëm ndaj të tilla risive dhe vendimeve. Dhe, duke qenë se të tilla përvoja nuk janë të shpeshta në rrethet e tjera dhe vetë prindërit nuk kanë patur përvoja të kësaj natyre në rininë e tyre, është normale që ata të shikojnë modelin e tyre si model-reference. Megjithatë, nuk kemi pse të vendosim rregulla tepër strikte në këtë drejtim.

-Si ndikojnë marrëdhëniet e parakohshme seksuale tek djemtë dhe tek vajzat, pra jo në kuptimin domosdoshmërisht të parakohshme në moshë, por të parakohshme në aspektin e përgatitjes shpirtërore, për të hyrë në raporte të tilla? Pra, a e dëmton seksi i parakohshëm pjekurinë emocionale, intelektuale dhe potencialin për të provuar në të ardhmen ndjenja të vërteta?
Adoleshentët deri në moshën 16-17 vjeç kanë krijuar shumë nivele pjekurish, qofshin ato emocionale, intelektuale e të niveleve të tjera. Po në moshën 18 vjeç e lart, ata arrijnë pjekurinë sociale, kanë përgjegjësinë për veprimet që bëjnë dhe njëherësh kanë një identitet të konsoliduar seksual. Pra, nëse deri në 18 vjeç, raportet seksuale janë të sipërfaqshme, janë të mundshme, (përvojat e para mund të fillojnë më herët) etj. raportet e mirëfillta që kanë brenda edhe elementin e bashkëjetesës në çift, janë vetëm pas moshës 18 vjeç, kur i riu ka përgjegjësinë e mjaftueshme për të përballuar problemet që sjell me vete një marrëdhënbie seskuale, jo vetëm sentimentale, por edhe për pasojat e tilla si sëmundjet seksuale apo një shtatzani.

-Po tek ata të rinj, që e kanë filluar shumë herët jetën seksuale, do të ndikojë negativisht përvoja e hershme për të realizuar lidhje të forta dashurie, pra për të patur dashuri të vërtetë, apo do të vazhdojnë ta konsiderojnë si një lojë?
Nëse përvojat e tyre kanë qenë jo abuzive, por të shëndetshme, nuk do të ndikojnë negativisht. Në rastet kur frekuenca e marrëdhënieve seksuale ka qenë e shumtë, kur numri i partnerëve seksualë të njëkohshëm ose të njëpasnjëshëm ka qenë i shumtë dhe, nëse një raport i tillë nuk shoqërohet me një raport shpirtëror, seksi kthehet në qëllim në vetvete, duke lënë pasoja negative për lidhjet e dashurisë në të ardhmen.

-Mendoni se liberalizmi i pranimit në shkollat e larta, sjell edhe një liberalizim të tejkaluar në jetën studentore dhe një degradim të procesit mësimor?
Liberalizmi i shkollave të larta është një politikë shtetërore, por nuk mendoj se ka liberalizim të shkollave të larta, pasi liberalizim do të thotë, që secili të shkojë në degën e preferuar. Eshtë shtuar numri i atyre që pranohen në fakultete, por limitet dhe kriteret e vëna, tregojnë që nuk ka liberalizim, por ka ndryshim në numrit të atyre që pranohen. Ndërkohë, mbipopullimi i klasave ndikon shumë në cilësinë e mësimdhënies. Kur ka një sallë leksionesh me 150 ose 200 studentë, është e pamundur që të përfitojnë nga lektori. Kur numri i studentëve në seminare sipas Kartës së Bolonjës duhet të jetë 25-30 vetë dhe është 60-70 e më shumë, kjo do të thotë se mundësia e pedagogut për të monitoruar dhe kontrolluar përgatitjen e studentit, është shumë e pakët, domethënë e pamundur. Mungesa e dritave, mësimi me turne e ulin edhe më tepër cilësinë e mësimdhënies.

-Në Qytetin Studenti, kushtet e studimit nëpër dhoma mungojnë, në të njëjtin ambient, dikush gatuan, tjetra lan rrobat, dikush do dritën të fikur që të flejë e dikush do të lexojë, ndërsa biblioteka ka një numër të kufizuar për gjithë atë qytezë. E kanë shtruar ndonjëherë pedagogët, nevojën e krijimit të kushteve për studim për studentët e tyre?
Unë nuk shoh ende në këtë pikë, që biblioteka të jetë e mbushur. Ende nuk ndihet nevoja e shtimit të sallave të bibliotekës. Ende nuk frekuentohen ato ambiente që janë. Nëse do të rritet interesi për studim, do të shtohen edhe mundësitë.

-Disa studentë punojnë. Çfarë ndryshimi sjell në sferën e formimit psikologjik të tyre ky fakt, në raport me moshatarët?
Fakti që punojnë dhe shkojnë në shkollë, ata i pjek para kohe. Në këtë kuptim, u shton përgjegjësitë për të studiuar dhe i ndihmon ose interferon pozitivisht me procvesin e të mësuarit. Por, nëse puna u ha shumë kohë dhe u heq mundësinë për të gjetur kohën e mjaftueshme për të studiuar, kjo natyrisht që pengon. Zakonisht, ata që kanë interesa për punën, i kanë të shoqëruara edhe me interesa për shkollën.

somario
Studenti i ditëve tona është i rrethuar nga shumë lloje modelesh që hyjnë në këtë qytezë, duke filluar që nga tipat e alabakëve, deri te tipat më rigorozë. Pra, të gjithë tipat e të rinjve hyjnë tashmë në Qytetin Studenti dhe emri “student” nuk përfaqëson më një imazh besnik të kësaj fjale
Ky lajm është publikuar: 19/10/2007

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›