Qyteti Studenti, aty ku ngrihen dhe bien paragjykimet krahinore
Autori i Lajmit: D.KonaAty është Shqipëria në miniaturë. Për rreth 4 vjet bashkëjetojnë të rinj nga fshatra e qytete të jugut e të veriut. Vijnë me mentalitete të forta, por largohen me mall për shoqërinë e lidhur. Ndoshta këta të rinj janë ambasadorët e thyerjes së paragjykimeve, të cilat megjithatë vazhdojnë të mbeten tek- tuk si copa të ngurta që nuk kanë arritur të shkrihen. 22 studentët që ndihmuan me të dhëna këtë anketim pranuan se paragjykimet ekzistojnë mes krahinave, sidomos në vitin e parë ku janë më të forta ato mes jugorëve dhe veriorëve. Mario, student në degën e juridikut në vitin e katërt, thotë: “Paragjykohen më tepër krahinat e thella për prapambetje, por ne çunat paragjykojmë edhe tiransit. I paragjykojmë për hipokrizi. Studentët tiranas nuk njohin shoqëri të vërtetë”. Ndërsa Ruendi, për inxhinieri shprehet: “Gjithçka është individuale. Varet nga raportet. Djem të mirë ka ngado”. Nga ana tjetër, edhe ata vetë ndjehen të paragjykuar. Albina thotë: “Epiteti “konviktore” është pak i rëndë, sepse nuk ka as nam të mirë”. Një grup shoqesh të godinës 9 pohojnë se studentet nga Tirana i shikojnë me shpërfillje, sepse në mendjen e tyre vazhdon të mbetet mendimi: “Ja, erdhën këto provincialet që duan të ngecen në Tiranë. E ç nuk bëjnë në këto vjet që t ia arrijnë”. Por nga ana tjetër, ndërsa e përbuzin, këto “tironset” e zilepsin jetën prej konviktoreje, jashtë kontrollit prindëror. “Ç nuk do të jepja që të flija në konvikt”, i kishte pohuar njëra prej tyre shoqes së saj. Ndërsa shprehja më tipike që dëgjon nga goja e studentëve kryeqytetas është: “Bëni qejf ju, bëni!”
Shoqëria e dhomës, si shtëpia ose hoteli
Shoqëria e dhomave u ngjason familjeve. Aty gjen shumë nga episodet e saj; edhe keqkuptimet, mëritë, edhe kujdesin reciprok. Ndodh që vajzat, ndonëse i kanë krevatat ngjitur, të zgjohen pa i thënë “mirëmëngjes” njëra-tjetrës e në këto raste, dhoma kthehet në një “Ferr” ku nuk kanë dëshirë të kthehen. Për dikë, jashtë vullnetit ajo merr atributet e hotelit ku shkohet vetëm për të fjetur e për të lënë sendet. Nuk është e lehtë të kalosh pa trazime 4 vjet në një dhomë studentore. Por megjithatë, ky është shansi që të vjen në jetë për të mësuar bashkëjetesën. “Të kesh shoqe të mira dhome, të bën t i kalosh këto vite me mbresa të bukura, -tregon Alma.- Në fillim të vitit të parë, shoqëria e dhomës është e rastësishme dhe varet si të qëllon, por në vitet e tjera e zgjedh vetë dhe për mbarëvajtjen nuk mund të bësh më fajtore rastësinë. E di si është puna e shoqërisë ?- Vazhon ajo.- Kur nuk e njeh shoqen, çdo fjalë që të thotë ia keqkupton, ia merr për kapital, ashtu siç të ndodh me vjehrrën. Por kur e njeh, çfarëdo që të të thotë e kalon lehtë. Eshtë si puna e grindjeve me mamanë, të cilës nuk i zemërohesh për asnjë fjalë”.
Për çfarë grinden vajzat nëpër dhoma?
Shfrytëzimi i hapësirave të dhomës, rrëmuja dhe ndarjet e punëve, regjimi i ndryshëm i jetesës janë shkaqet kryesore të grindjeve mes vajzave. Kur njëra do të studiojë, tjetrës i ka ardhur muza për të dëgjuar muzikë. Regjimi i dhomës është “thembra e akilit” në marrëdhënie, por ato mund të ndikohen edhe nga prania e ndonjë djali. “Rëndom vajzat zihen për problemin e futjes së të dashurve nëpër dhoma”, tregon Marina. Jo vetëm për djemtë. Grinden edhe për vizitat e shoqeve dhe të të afërmve. Në përgjithësi, vajzat nuk kanë qejf që dhomën e tyre ta vizitojnë persona të huaj, as kur nuk janë vetë prezente. Kjo ndodh sidomos në rastet, kur njëra prej tyre ka televizor dhe aty mblidhen nga dhomat fqinje. Tjetra bezdiset dhe uron që ai televizor i mallkuar të mos gjendej fare në dhomën e tyre. Ndërsa për punën e meshkujve ndonjëherë zihen keq fare, e në disa raste e bëjnë problem te kujdestaret. Por kur të gjitha janë me të dashur, e kanë bërë me marrëveshje që t i fusin me radhë. Studentet tregojnë se një nga shkaqet kryesore të grindjeve është korrektesa. “Kur të prekin sendet e tua pa të të pyetur, dhe kur t i përdorin gjërat fshehurazi, padyshim që kjo gjë të mërzit”, thotë njëra prej tyre. Në rastet kur humbasin para ose diçka tjetër, edhe vetëm dyshimi bëhet shkak që ato të mos flasin më me gojë. Konfliktet shuhen nga viti në vit, sepse ndodh përshtatja dhe forcohet njohja. Me kalimin e viteve, shumica mëson të kapërcejë problemet e vogla që dalin, mëson të bashkëjetojë. “Unë përshembull, nuk bëj asnjë punë në dhomë, por shoqet nuk mërziten. Ato ma dinë tipin, që kështu jam dhe nuk është se dua të përfitoj në kurriz të tyre”, thotë Rezi.
Një dhomë në harmoni i ngjan një familjeje në harmoni. Aty vonesa e dikujt ngjall shqetësim dhe është normale që shoqet të pyesin njëra-tjetrën, se ku do të shkojë dhe kur do të kthehet. Ato ndajnë së bashku shqetësimet e ditës, problemet e literaturës, japin e marrin ndonjë këshillë për lidhjet e tyre me djemtë, ndihmojnë njëra -tjetrën në përgatitjen e ushqimit e kur ndonjëra është e sëmurë e ndihmojnë për të mbajtur regjimin e shtratit. Të njëjtën gjë pohojnë edhe djemtë. “Në dhomë ia kalon mirë, zakonshëm ose keq, varet nga shoqëria. Kur ke shokë të mirë, gjithnjë e ke më lehtë për çdo gjë, qoftë edhe për të hequr nga mendja kujtimin e hidhur të një ndarjeje. Megjithëse të themi të drejtën, kjo gjendje është më tipike te vajzat.” arsyeton Klaudio nga Vlora.
Ky lajm është publikuar: 19/10/2007