USAID jep 10 mln USD bujqësinë në tregjet europiane
Autori i Lajmit: Silvana BalliuUSAID, nëpërmjet një fondi prej 10 milionë USD, do të mbështesë bujqësinë shqiptare për rritjen e konkurrencës përballë tregjeve europiane, fond i cili pritet të lëvrohet brenda këtij viti. "Bujqësia duhet të dalë nga spontaniteti me qëllim që të rritet prodhimi dhe të organizohet për t u bërë konkurruese, në mënyrë që të bëhet pjesë e tregut vendas dhe atij europian, duke ndikuar kështu dhe në uljen e importeve", tha dje ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Jemin Gjana, gjatë një takimi të organizuar në Tiranë, nga Qendra për Tregtinë Ndërkombëtare (ACIT) dhe USAID, për rolin e presioneve konkurruese në bujqësinë shqiptare gjatë procesit të integrimit europian. Në këtë seminar ishin të pranishëm edhe biznesmenë të njohur, si Z. Ferdinand Ibrahimi, i njohur për prodhimin e tregtimin e qumështit Ferlat.
Objektivat e MBUMK-së
Ministri Gjana tha se "objektivat kryesorë të MBUMK edhe për vitin 2008, do të synojnë të rrisin aftësitë konkurruese dhe efektivitetin në menaxhim ,duke ofruar konsulencë specifike biznesit, politika në mbështetje të zhvillimit, me qëllim ngritjen e kapaciteteve për rritjen e prodhimit ,në mënyrë që t i shërbejë nevojave të fermerëve dhe ndërmarrjeve agroushqimore tani dhe në të ardhmen". Sipas tij, fermerët dalin e shesin në rrugë prodhimet e tyre, por po të organizohen në shoqata apo kooperativa, ata do ta gjejnë më lehtë tregun, pasi tregtarët e mëdhenj, do të dinë ku të shkojnë të blejnë prodhim të bollshëm. "Eshtë prioritet i yni krijimi i marketingut dhe subvencionimi i sektorit të bujqësisë për ngritjen e tregjeve të reja agrobujqësore dhe rritjen e prodhimit", tha Gjana. Gjatë këtij takimi, Drejtori ekzekutiv i ACIT, Selim Belortaja, u ndal në faktorët që mbajnë peng rritjen e prodhimit dhe konkurrueshmërinë e produkteve bujqësore. Sipas tij, copëzimi i tokave bujqësore, shkalla e ulët e përdorimit të teknologjisë, etj, janë disa nga pengesat për të cilat duhet punuar me të gjithë grupet e interesit.
Forcimi i kapaciteteve
Seminari përcolli domosdoshmërinë e forcimit të kapaciteteve të komunitetit të biznesit për një reagim efikas ndaj presioneve të rritura konkurruese në sektorin e bujqësisë dhe agropërpunimit, përmes informimit mbi treguesit dhe prirjet kryesore të sektorit, si dhe tërheqjes së tyre në një debat të kualifikuar. Ky takim është në vazhdën e prezantimit të projektit të ri që USAID synon të zbatojë për bujqësinë shqiptare për një periudhë pesevjeçare, me një vlerë rreth 10 milionë USD, në mbështetje të bujqësisë dhe agroindustrisë, i cili pritet të bëhet efektiv brënda këtij viti.
Ky lajm është publikuar: 19/10/2007