E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Qeveria prek fondin rezervë për të paguar Rizhin”

Autori i Lajmit: Suela TopiKontrolli i Lartë i Shtetit ka denoncuar Qeverinë për shkelje të ligjit në rastin e pagimit të firmës “Ridge Global LLC”. Në raportin e publikuar së fundmi për zbatimin e buxhetit të shtetit për vitin 2006, KLSH vëren se Qeveria ka prekur fondin rezervë pa një relacion ku të përcaktohej emergjenca e lidhjes së kontratave përkatëse. Kompania e ish-sekretarit amerikan të Sigurisë Kombëtare është kontraktuar për hartimin e një strategjie që është miratuar në Kuvendin e Shqipërisë 4 vjet më parë. Shkelja flagrante e bërë nga ekzekutivi nuk shoqërohet me asnjë relacion shpjegues. KLSH në raportin për zbatimin e buxhetit të shtetit të një viti më parë vëren gjithashtu se ka pasur dhe raste të tjera kur Qeveria pa dhënë shpjegimet e parashikuara me ligj ka përdorur fonde nga buxheti rezervë i shtetit.
Raporti
KLSH në raportin për zbatimin e buxhetit të shtetit të vitit 2006 ka denoncuar disa procedura financiare të Qeverisë në prekjen e fondit të rezervës në disa raste. Një nga rastet specifike është vendimi 653 datë 27. 9. 2006 për lejimin e Kryeministrisë të përdorë procedurën “prokurim i drejtpërdrejtë” me shoqërinë “Ridge, Global LLC” për të dhënë një shërbim konsulence për hartimin e strategjisë kombëtare për sigurinë kombëtare mirëqeverisjen, mbështetjen për anëtarësim në NATO dhe luftën kundër korrupsionit, pastrimit të parave dhe kriminalitetit me vlerën 15 milionë e 536 mijë lekë. Në raport thuhet se për emergjencën e këtij vendimi me këtë faturë financiare, nuk ka pasur asnjë kërkesë apo relacion shpjegues për emergjencën apo pamundësinë e parashikimit të këtij fondi gjatë planifikimit buxhetor nga institucioni përkatës. Në vendimin e qeverisë për lëvrimin e fondeve ndaj kompanisë së këshilltarit amerikan të Kryeministrit Berisha, Tom Rixh, përveç mënyrës se si është lëvruar ky fond ka dhe një tjetër element për të dyshuar. Një nga aspektet për të cilat është lëvruar fondi është dhe shërbimi i konsulencës për hartimin e strategjisë kombëtare, një dokument që është hartuar në vitin 2003 dhe është miratur nga Kuvendi po këtë vit. Raporti i KLSH-së evidenton dhe raste të tjera kur fondi rezervë i Qeverisë është prekur pa pasur relacion shpjegues siç është rasti i vendimit të qeverisë për një shtesë fondi në vitin 2006 me vlerë 10 milionë lekë me qëllim dhënien e mundësisë Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare për rikonstruksionin e rezidencës qeveritare në Pogradec. Pasi ky rast, siç thuhet në raport, nuk përbën një rast emergjent apo pamundësi gjatë planifikimit buxhetor.
Ish-sekretari amerikan për Sigurinë, tashmë këshilltar i Qeverisë. Rreth një vit më parë ish- sekretari amerikan për Çështje të Sigurisë dhe ish- guvernatori i Pensilvanisë, Tom Rixh, u prezantua nga kryeministri Berisha si këshilltar i tij dhe i qeverisë që ai drejton. “Zoti Rixh do të ndihmojë e këshillojë qeverinë shqiptare në çështjet e para për çdo qeveri dhe shoqëri, çështje të sigurisë së vendit”, - ka thënë kreu i ekzekutivit në momentin e emërimit të tij. Ai ka shpjeguar se ky bashkëpunim përfshin, së pari, integrimin e Shqipërisë në NATO si përparësi madhore, strategjinë e sigurisë së vendit dhe luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, arsimin, reformën në drejtësi, tërheqjen e investimeve të mëdha amerikane në Shqipëri, zhvillimin e teknologjisë së informacionit, bujqësinë, luftën kundër pastrimit të parave dhe sigurinë në tërësi.

Ky lajm është publikuar: 26/09/2007

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›