Zona 31, Koçi: “Humbja, rezultat i politikave përçarëse të PS-së”
Autori i Lajmit: Red.Deputeti socialist Petro Koçi deklaron se Lëvizja për Rimëkëmbjen e Partisë Socialiste nuk është për të mbështetur ish - kryetarin e saj, por për të bashkuar gjithë këtë forcë politike. Duke folur për zonën 31 dhe humbjen e kandidatit Luan Zhegu, Koçi e konsideroi fushatën të sabotuar nga vetë stafi socialist. “PS nuk pranoi mbështetjen e Zhegut nga deputetët që kundërshtojnë kryetarin Rama”, - u shpreh Koçi. Ky deputet është i pari në radhët e socialistëve që e pranon humbjen e socialistëve në zonën 31, pasi gjatë dy ditëve të fundit ka pasur vetëm akuza ndaj qeverisë për manipulime gjatë procesit të votimeve. Ai pohoi dje se drejtuesit zyrtarë të partisë nuk duan të mbajnë përgjegjësi për rezultatet politike dhe sidomos për ato elektorale dhe prandaj vazhdojnë me platformën përçarëse “politikë e re, politikë e vjetër” . “Mendoj që edhe nxitja e hetimeve për Shkallnurin apo për ndonjë gjë tjetër nuk e mbulon dot krizën e drejtimit në PS. Duhet bërë analizë, duhet mbajtur përgjegjësi dhe duhet zbatuar në një reformë statutore që garanton demokraci gjithëpërfshirëse dhe që sigurisht sjell bashkimin e të gjithë kontributeve dhe energjive brenda PS, por edhe koalicionit për të arritur fitoren në zgjedhjet e ardhshme.
Ky lajm është publikuar: 26/09/2007