E Diel, 1 Nëntor 2026

LSI: “Qeveria të zgjidhë problemin e legalizimeve”

Autori i Lajmit: Red.
Lëvizja Socialiste për Integrim kritikon qeverinë shqiptare për moszgjidhjen e çështjes së legalizimeve. Sekretari i Marrëdhënieve me Publikun i LSI-së, Sokol Dervishaj, pohoi dje se dështimin në këtë proces e pranoi edhe vetë Kryeministri Berisha në takimin që zhvilloi me të zgjedhurit vendorë dhe përfaqësuesit e qeverisë. Sipas tij, ekzekutivi kishte vendosur zbatimin e politikave të decentralizimit dhe kalimin e disa kompetencave pushtetit vendor, sikurse është rasti i Inspektoratit të Ndërtimit, i cili kalon në vartësi të njësive vendore, por ndërkohë nuk ka bërë alokimin e nevojshëm të fondeve për të përmbushur detyrimet që përcakton ligji. “Kryeministri duhet të kalojë nga niveli i konstatimit dhe kritikave ndaj prefektëve dhe qeveritarëve të tij, në marrjen e masave konkrete, në krijimin e një klime edhe më bashkëpunuese me pushtetin vendor, në mënyrë që ky proces të gjejë zgjidhje sa më parë”, - tha Dervishaj. Ai pohoi se gjithashtu është e rëndësishme që procesi i konstituimit të KRRT-ve të bëhet jashtë ndikimit të interesave politike dhe të ndalohen ndërtimet pa leje që po vazhdojnë në gjithë vendin.
Ky lajm është publikuar: 26/09/2007

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›