Braçe: “Qeveria ka dështuar me politikat fiskale”
Autori i Lajmit: Suela TopiPartia Socialiste akuzoi sërish qeverinë për dështimin e politikave ekonomike. Pas një shqyrtimi qe i ka bërë raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit për vitin 2006, nënkryetari i Grupit Parlamentar, Erion Braçe, tha se në të vihet re një rënie drastike e të ardhurave që duhet të realizoheshin nga tatimet dhe doganat për të cilat humbja llogaritet në 260 milionë lekë. Sipas Braçes, paaftësia e kësaj qeverie kësaj here vihet në dukje jo vetëm nga opozita, por nga një institucion i pavarur si KLSH-ja. “Raporti i KLSH-së certifikon se të ardhurat tatimore nga administrata janë realizuar vetëm 98 %. Të ardhurat jotatimore janë realizuar vetëm 96 %. Shpenzimet e buxhetit janë realizuar 96 %. Vijmë tek investimet publike që u interesojnë më shumë shqiptarëve, pra me mënyrën se si janë përdorur taksat që ata kanë paguar gjatë 2006. Shpenzime kapitale janë realizuar vetëm 88 %. Shpenzimet me financim të brendshëm janë realizuar vetëm 93 %. Shpenzime me financim të huaj 77 %. Në total shpenzime kapitale në raport me planifikimin, në buxhet të shtetit mungojë rreth 72-73 milionë dollarë të papërdorura gjatë vitit 2006, taksat e shqiptarëve dhe të taksapaguesve evropianë që këta nuk kanë mundur t’i realizojnë gjatë vitit 2006”, - sqaroi Braçe. Më tej numri dy i socialistëve vijoi për tatimet në dogana, duke iu referuar raportit të KLSH-së dhe tha që të ardhurat janë realizuar në masën 98 %, nga TVSH që është tatimi më i rëndësishëm për buxhetin është realizuar 98 %. Ai sqaroi se tatimi mbi të ardhurat personale është realizuar në masën 95 % ndërkohë që përballë këtyre të ardhurave të realizuara nga administratë qendrore, pushteti vendor ka qenë konstant dhe ka realizuar të ardhurat e tij në masën 100%. Më tej Braçe tha se qeveria ka premtuar se pjesa më e madhe e të ardhurave do të jetë tek tatimet dhe jo tek doganat ku abuziviteti është më i madh. Ndërsa sipas KLSH të ardhurat nga tatimet për 2006 përfaqësojnë 33,9 % të totalit të të ardhurave buxhetore nga 34,3 që kanë qenë një vit më parë. Ndërsa të ardhurat nga doganat janë 34, 9 % në 2006 nga 33,96 % që kanë qenë një vit më parë, që do të thotë që pjesa më e madhe e të ardhurave fiskale në buxhetin e shtetit vazhdon të vijnë nga doganat atje ku abuziviteti, atje ku çmimet e referencës me kosto të pariparueshme është më e madhe”, - argumentoi nënkryetari i Grupit Parlamentar Socialist.
Investimet
Braçe pohoi se mangësi ka pasur edhe në investimet e bëra nga ministritë përkatëse. Sipas raportit të KLSH-së, fondet e investimeve me financim të brendshëm janë realizuar në vlerën 93.5%, ndërsa niveli i financimeve të huaja është realizuar vetëm 77.9 %. Duke treguar se cilat ishin ministritë që nuk realizojnë investimet në vend, Braçe theksoi se me fonde të brendshme, sipas KLSH-së, Ministria e Bujqësisë realizoi vetëm 90 % të investimeve për vitin 2006. Ministria e Arsimit vetëm 90.1 %, Ministria e Shëndetësisë 94 %, ajo e Drejtësisë 84 %, Ministria e Brendshme ku përfshihet edhe pushteti vendor, 73 %, Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta 90.7 % . Por sipas Braçes, ka abuzime edhe me fondet e donatorëve të huaj dhe përkatësisht Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, realizoi vetëm 70 % të investimeve të fondeve të huaja, Ministria e Bujqësisë 66 %, Ministria e Punëve Publike, Transporteve dhe Telekomunikacionit 67 %, ndërsa Ministria e Arsimit dhe e Shkencës, të cilin Braçe e quajti ministri “model”, që drejton ministrinë e së nesërmes, ka realizuar vetëm 7.07 % të investimeve të huaja. Ai tha se qeveria ka dështuar edhe në rimbursime. Sipas tij, ka rezultuar se gjatë vitit 2006 nga 218 kërkesa për rimbursim të bizneseve me vlerë 3.2 miliardë, janë miratuar vetëm 142 kërkesa me vlerë 2.5 miliardë dhe është rimbursuar vlera vetëm 1.8 miliardë. Pra nga vlera e kërkuar prej 3.2 miliardësh detyrim i shtetit për të rimbursuar bizneset, për TVSH-në e kthyeshme, është paguar vetëm 1.8 miliardë.
Ky lajm është publikuar: 26/09/2007