E Diel, 1 Nëntor 2026

Ligjet miratojnë në parim projektligjin për ish-të përndjekurit

Autori i Lajmit: Red.Komisioni parlamentar i Ligjeve miratoi në parim, me shumicë votash, projektligjin “Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist”. Ndërkohë që dy deputetë socialistë, Bashkim Fino dhe Arben Isaraj, kanë abstenuar. Kryetari i komisionit, Fatos Beja, e vlerësoi nismën ligjore të Qeverisë, e cila synon të dëmshpërblejë kontigjentin më të ndjeshëm të ish-të persekutuarve politikë, si persona që kanë vuajtur drejtpërdrejt dënimin në burgjet komuniste. Sipas Bejës, projektligji është shprehje e vëmendjes së qeverisë demokratike, e cila hartoi një draft të plotë për këtë shtresë, ndërkohë që gjatë tetë viteve të mëparshëm nuk ishin ndërmarrë hapa për të përmirësuar statusin e kësaj shtrese. Drafti ligjor përcakton masën dhe kriteret që duhet të përmbushë personi për të përfituar dëmshpërblim. Ky dëmshpërblim, mund të kërkohet brenda gjashtë muajve nga hyrja në fuqi e tij. Nga ana teknike projektligji jo vetëm synon të caktojë masën e dëmshpërblimit për familjarët e viktimave apo të dënuarve politikë, që kanë vuajtur heqje lirie për ditë izolimi të padrejta në burg, paraburgim apo internim, por edhe të caktojë një procedurë të qartë e transparente për të gjithë personat. Projektigji do të zbatojë një skemë financiare dëmshpërblimi, që garanton një proces transparent dhe të mbikëqyrur periodikisht, jo vetëm nga pushteti ekzekutiv, por dhe nga çdo qytetar apo grup interesi. Drafti parashikon që shpërndarja e dëmshpërblimit të kryhet nga Ministria e Financave, e cila, përmes fondeve buxhetore, do të bëjë shpërndarjen nëpërmjet llogarive bankare, në emër dhe për llogari të ish-të dënuarve politikë.

Ky lajm është publikuar: 26/09/2007

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›