Ministri Gjana kërkon rritjen e standarteve ushqimore
Autori i Lajmit: Red.Ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit Jemin Gjana, gjatë një vizite ditët e fundit, në qarkun e Korçës, inspektoi laboratorin veterinar të këtij qyteti dhe bashkëbisedoi me specialistët e inspektorët e drejtorisë rajonale të bujqësisë, për rritjen e standarteve ushqimore. Burime nga MBUMK, bënë të ditur se, ministri Gjana, pasi u informua për kontrollet e bëra dhe masat e marra nga inspektoriati i Korçës, për sigurinë ushqimore u shpreh se, nuk duhet të ketë asnjë tolerim ndaj produkteve pa standarde, të paetiketuara në shqip, për produktet që prishin barazinë në treg. "Informaliteti në standarde dëmton konsumatorin në radhë të parë, cënohen vetë standardet për të cilat ne po bëjmë shumë përpjekje për t i arritur dhe cënohet rëndë barazia në treg"-tha ministri Gjana. Shumë shpejt, theksoi ministri Gjana, gjithkush do të jetë i detyruar të plotësoje e të arrijë standardet ISO e HASAP që produkti të lejohet në treg. Prodhimi i përgjithshëm bujqësor në vend, vitin e fundit është dyfishuar dhe sot rreth 80 përqind e frutave dhe perimeve që konsumohen në tregjet e qyteteve, janë produkte të freskëta të prodhuara nga fermerët shqiptarë. Kështu u shpreh, Ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit Jemin Gjana, në panairin bujqësor që është hapur këto ditë në rrethin e Korçës, ku prezantohen produktet bujqësore e blegtorale nga gjithë zonat e qarkut të Korçës. "Nuk ka shtet të zhvilluar pa bujqësi të zhvilluar dhe ushqim me cilësi e standarde të sigurisë si dhe pa zona rurale të zhvilluara"-tha Gjana. Qarku i Korçës është shembull i zhvillimit të bujqësisë, pasi fermerët korçarë janë punëtorë, dinë të orientohen intuitivisht. Me mbështetjen financiare të MBUMK, në këtë qark këtë vit u mbollën 400 ha sipërfaqe të reja me pemë, vreshta e ullinj.
Ky lajm është publikuar: 26/09/2007