Nano takon sot socialistët e Vlorës
Autori i Lajmit: Red.Ish- kryetari i Partisë Socialiste, Fatos Nano, ashtu siç kishte paralajmëruar, po vazhdon turin e tij të takimeve me bazën socialiste. Pas takimit të suksesshëm të zhvilluar në kryeqytet, Nano do të takojë sot socialistët e Vlorës. Takimet e tij me bazën u paralajmëruan disa muaj më parë në të njëjtën kohë kur edhe kreu aktual i PS-së, Edi Rama, pohoi se do të vazhdojë dialogun me Shqipërinë për hartimin e programit të ri qeverisës. Nano dhe mbështetësit e tij kanë pohuar se takimet me bazën po zhvillohen për informimin e saj me të gjitha zhvillimet e brendshme që po ndodhin në selinë rozë. Ish-kryetari i Partisë Socialiste, Fatos Nano, zhvilloi disa ditë më parë në ambientet e Teatrit të Operas dhe Baletit një takim me mbështetësit e tij, ku theksoi se lëvizja e tij shërben për të rimëkëmbur Partinë Socialiste dhe të gjithë politikën. Nano theksoi se lëvizja e tij do të kontribuojë në arritjen e objektivave të vendit për zhvillimin dhe integrimin në NATO dhe BE.
Ky lajm është publikuar: 26/09/2007