Zogaj: “PD dhe PDK duhet të zhvillojnë një tryezë institucionale”
Autori i Lajmit: Red.Partia Demokratike reagon pas vendimit të Partisë Demokristiane për të ngritur një komision hetimor për përgjimet që u janë bërë deputetëve të saj dhe selisë së demokristianëve. Por ndërkohë reagimin e PD-së e kanë sjellë dhe deklaratat e vazhdueshme të eksponentëve të lartë të PDK-së dhe akuzave që ata kanë lëshuar kundrejt selisë blu dhe nënkryetares së saj, Jozefina Topalli. Deputeti i Partisë Demokratike, Preç Zogaj, deklaroi dje se është i nevojshëm që mes PD-së dhe PDK-së të bëhet një sqarim i plotë dhe serioz. Por kjo, sipas deputetit demokrat, nuk mund të bëhet nëpërmjet mediave, prandaj është e nevojshme një tryezë institucionale. Lidhur me pretendimet e PDK-së për përgjimet, Zogaj pohoi se duhet të dallohen përgjimet e ligjshme nga ato jo të paligjshme. Sipas tij, përfaqësuesit politikë duhet të inkurajojnë përgjimet e ligjshme si mjete për të evituar abuzimet. Madje, ai pohoi se duhet të nxiten edhe më tej organet kompetente në luftën kundër abuzimeve.
Zogaj
“Mes Partisë Demokratike dhe Partisë Demokristiane ka nevojë për një sqarim më serioz, më të plotë dhe më institucional, aq më tepër kur bëhet fjalë për një parti aleate, pasi nuk mund të vazhdohet më me luftë mediatike”, - tha dje Zogaj. Deputeti demokrat reagoi dhe për pretendimet e PDK-së për përgjimin e disa deputetëve të saj duke pohuar se së pari duhet të dallohen qartë përgjimet e ligjshme në funksion të zbulimit dhe goditjes së abuzimeve apo edhe shpërdorimit të pushtetit dhe krimit të organizuar. Sipas tij, përfaqësuesit politikë duhet t i inkurajojnë këto përgjime si mjete pune, por njëkohësisht duhet të dallojnë përgjimet e ligjshme nga ato të paligjshmet, që shndërrohen në bumerang për ata që e organizojnë, dhe që janë një njollë për shtetin demokratik. “Ne duhet të bëjmë kujdes që të mos dekurajojmë organet kompetente në luftën kundër abuzimeve. Prej këtu ka nevojë për një sqarim më serioz, më të plotë dhe institucional mes PD-së dhe PDK-së, pasi ajo është parti aleate, ndaj nuk mund të vazhdohet me luftë mediatike. Madje këtu janë në shqiptim tema që edhe po të ishin tema konflikti me opozitën, duhen sqaruar në tavolinë dhe aq më tepër me një parti aleate”, - tha Zogaj. Deputeti i selisë blu edhe pak ditë më parë pohoi se duhet pritur fjala e organeve të drejtësisë. Sipas tij, PD, por dhe PDK janë një grupim politik qeverisës që ka marrë përsipër për të luftuar korrupsionin në Shqipëri në radhë të parë brenda radhëve të saj.
Ky lajm është publikuar: 26/09/2007